Një tërmet i fortë ndikon jashtë mase në tendosjen e terrenit në afërsi të lëkundjeve, thotë për “Deutsche Welle”, Profesori Federik Tilmann, drejtues i sektorit të sizmologjisë në Qendrën gjermane të Studimeve Gjeologjike (GFZ) në Potsdam.
“Aty ku tensionet në tokë rriten, mund të shkaktohen tërmete të tjera, të ashtuquajturat tërmete pasuese. Në përgjithësi në ditët në vijim aktiviteti reduktohet shpejt, pastaj më me ngadalë dhe për këtë ka edhe prognoza me 6 tërmete pasuese me magnitudë më të madhe se 4,5”, tha Tilmann.
Edhe ai përsërit se kur vjen puna te tërmetet është e vështirë të bëhen pohime të sakta. Por edhe pse mund të ndodhë, që paslëkundjet të jenë me magnitudë me të madhe se 5, lajmi i mirë është se aktiviteti do të zbehet gradualisht në ditët e ardhshme. “Deri tani shkencëtarët nuk mund të përjashtojnë përfundimisht se mund të ketë një tërmet edhe më të madh, por me siguri ky skenar nuk është i mundshëm”, tha ai.
Sizmologu gjerman këshillon që banesave që do të ndërtohen në të ardhmen t’i kushtohet një vëmendje e posaçme standardeve të ndërtimit dhe sigurisë sizmike, ndërsa ndërtesat e rrezikuara duhet të fortifikohen.