Ai është një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, por reputacioni i është njollosur nga një ish-modele amerikane, që e akuzon për përdhunimin e pretenduar një dekadë më parë.
Cristiano Ronaldo nuk u përball me akuza penale për incidentin në SHBA, por “The Sun” ka mundur të zbulojë se ADN-ja e tij ishte krahasuar me provat në këtë rast. Ndërmjet 100 faqeve të postës elektronike midis policisë dhe prokurorëve të çështjes penale, e cila që nga ajo kohë ka rënë, detektivi i Las Vegasit, Jeffrey Guyer, shkroi: “E kemi ADN dhe përputhet plotësisht”.
Tani, zonja Mayorga, 34 vjeçe, po e ndjek si çështje civile padinë kundër Ronaldos, duke kërkuar dëmshpërblim prej 165.000 stërlinash.
Ylli i Juventusit, i cili javën e kaluar u bë njëri nga gjashtë futbollistët e vetëm, që shënon 700 gola në karrierë, u takua me zonjën Mayorga në qershor 2009, në “Palms Casino Resort”, ku ajo punonte si kamariere në lokal.
Portugezi, i cili ishte me pushime me kunatin dhe kushëririn e tij, e ftoi zonjën Mayorga në shtëpi për një festë. Gazeta gjermane “Der Spiegel” zbuloi pretendimet e saj, se ishte përdhunuar nga ylli i futbollit. Të nesërmen, zonja Mayorga e raportoi sulmin e pretenduar seksual në polici dhe organet përkatëse ligjzbatuese morën mostra të ADNsë prej saj
Detektivët e morën në pyetje për dy orë dhe, në atë kohë, besohej se ajo nuk pranoi të zbulonte përdhunuesin e supozuar. Por, në komunikimin elektronik të mëpastajmë, të siguruar nga “The Sun”, e evidentoi me emër Ronaldon.
Duke publikuar komunikimet elektronike (me email) midis lojtarit dhe avokatëve të tij, “Football Leaks” zbuloi se Ronaldo pretendoi që zonja Mayorga tha “jo”, por tri javë më vonë deklaroi: “Ajo nuk bërtiti, pranoi raportin seksual dhe nuk tha asgjë”.
Në vazhdën e pretendimeve për përdhunim, Ronaldo punësoi një ekip avokatësh, ish-detektivësh, specialistë të PR, ekspertë mjeko-ligjorë për ta ndihmuar atë. Ky grup ekspertësh mblodhi informacione për zonjën Mayorga dhe e takoi atë.
Ajo pretendon se pas një kontrolli mjekësor-policor, një infermiere dhe një detektiv i thanë se do të poshtërohej, nëse e ndiqte çështjen. Avokati i saj, Leslie Stovall, pretendoi se qëllimi i ekipit konsulent të futbollistit ishte “për të penguar hetimin dhe ndjekjen penale të Cristiano Ronaldos”.
Zonja Mayorga refuzoi ta ndiqte çështjen penalisht dhe nënshkroi një marrëveshje moszbulimi të emrit në janar 2010. Ajo pranoi një ofertë prej 290.000 stërlinash, që i mori në këmbim të heshtjes.
Por, shtatorin e kaluar, zonja Mayorga e prishi marrëveshjen, duke ia treguar historinë e saj “Der Spiegel”. Më 2 tetor, policia e Las Vegas e rihapi çështjen. Të nesërmen, babai i katër fëmijëve, Ronaldo, reagoi përmes Instagram-it, duke i quajtur “lajme të rreme”. Hetimi policor zgjati 11 muaj, para se t’ua kalonin provat prokurorëve të Nevadës, të cilët vendosën në korrik të mos e vazhdojnë atë. Email-et sugjerojnë se çështja u rrëzua, sepse detektivët nuk mund të ishin të sigurt që dokumentet e publikuar nga “Football Leaks” nuk ishin ndryshuar.