Ndonëse natën tragjike kur aksidentalisht humbi jetën zyrtari policor Lirim Haxholli, u vendos që zyrtarët policorë që nuk kishin përdorë armën të trajtoheshin vetëm si dëshmitarë, tashmë statusi i tyre ka ndryshuar.
Burime të Sinjalit brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se Prokurorja e çështjes Besa Limani ka vendosur që 9 zyrtarët policorë t’i marrë në cilësi të dyshuarit për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Kurse, 15 zyrtarë policor janë të suspenduar nga IPK për 72 orë dhe nesër pritet t’ju vazhdohet suspendimi.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim për të gjithë ata që nuk i lajmërojnë rastet, për të cilat kryerësit e tyre duhet të përgjigjen para ligjit.
Vepra penale: “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” qartëson se: “Kushdo që është në dijeni për identitetin e kryesit të një apo më shumë prej veprave penale në vijim dhe nuk e lajmëron faktin e tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.
Lidhur me këtë rast është arrestuar Fatlum Mehmeti, i cili dyshohet se ka kryer vrasjen aksidentale dhe 6 zyrtarë të tjerë.
Varrimi i Haxhollit do të bëhet sot në lagjen Arbëria në orën 15:00.