Autoritetet gjermane kanë arrestuar disa trafikantë gjatë operacioneve në nivel vendi, përfshirë një kosovar, i dyshuar për falsifikim të pasaportave, shkruan revista gjermane “Der Spiegel”.
Ky operacion filloi ditë më parë nga Policia federale e Gjermanisë kundër trafikantëve dhe falsifikuesve të dyshuar të pasaportave. Nga mbrëmja e kaluar, forcat e sigurisë i kanë bastisur gjithsej 26 banesa, restorante dhe biznese në pesë rajone.
Bastisjet të cilat u udhëheqën nga Zyra e Prokurorit Publik dhe policia federale e Hanoverit, u kryen në rajonet Saksoni e Ulët, Hamburg, Nordrhein Westfalen, Thuringia dhe Baden-Württemberg. Në këto aksione morën pjesë 530 policë, ndërsa autoritetet kanë lëshuar fletarrestime për tre persona.
Sipas të dhënave të revistës së njohur gjermane, në qendër të këtyre hetimeve është shqiptari nga Kosova, Shefqet H., 65 vjeç. Bëhet e ditur se ai u arrestua në Schneverdingen. Hetuesit e akuzojnë atë për falsifikim të pasaportave, kryesisht për shtetas shqiptarë, duke ua mundësuar atyre qëndrimin ilegal në Gjermani.
Kosovari i arrestuar e kishte një metodë të veçantë të mashtrimit. Besohet se ai u ofronte klientëve të tij pasaporta të vërteta, por me vula të rreme të kontrolleve kufitare, në këmbim të parave. Pasi shtetasit shqiptarë kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani maksimalisht 90 ditë brenda një gjysmëviti pa vizë, klientët e tij kanë mundur të jetojnë ilegalisht në Gjermani për vite të tëra për shkak të vulave të rreme. Kjo gjë nuk është vërejtur gjatë kontrolleve.
Dyshohet se Shefqet H. e ka pasur një lloj “sponsori të pasaportave”, sidomos në rrethet e krimit të organizuar në pjesën veriore të Gjermanisë. Për shembull, thuhet se ai i ka pajisur bandat e drogës me pasaporta të falsifikuara dhe me dokumente të tjera në mënyrë që ato të mund të bënin biznes në Gjermani. Për vulat e falsifikuara, ai kërkonte shpërblim prej 500 eurosh e lart. Ai ka të kaluar kriminale për krime të ngjashme. Policia ka gjetur në banesën e tij dëshmi të shumta, përfshirë qindra dokumente dhe vula./Gazeta Sinjali/