image 6-vjeçari nga Podujeva lajmëron policinë për grindjen e prindërve, por e pëson vet nga babai

Siguri

6-vjeçari nga Podujeva lajmëron policinë për grindjen e prindërve, por e pëson vet nga babai

news image

Dhuna në familje në shumicën e rasteve në Kosovë raportohet nga gratë, të cilat janë viktimat më të shpeshta të dhunës që shkaktohet në familjet kosovare. Por ndryshe ka ndodhur në një familje në Podujevë.

Një fëmijë arriti ta lajmërojë Policinë për grindjen që kishin prindërit e tij, por që i kushtoi më pas.

Sinjali ka mësuar detaje se si ndodhi ngjarja sot, në rrugën “19 Qershori” të Podujevës.

Një burrë dhe një grua fillimisht kishin pasur një zënkë mes tyre, për arsye që ende nuk dihen. Mosmarrëveshja verbale e çiftit bëri djalin e tyre të vihet në lëvizje, duke tentuar të gjejë zgjidhje për familjen e tij, ndonëse vetëm 6-vjeçar. Por kjo i kushtoi fëmijës me shuplakë nga babai i tij, vetëm pse njoftoi Policinë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se me të marrë informacionin Policia, dy palët janë intervistuar në stacion policor.

Siç mëson Sinjali, viktima ka thënë se burri i saj e kishte goditur fëmijën e tyre, vetëm pse kishte lajmëruar Policinë se çfarë po ndodhte në shtëpinë e tyre.

Të njëjta burime kanë njoftuar për Gazetën Sinjali se ndaj të burrit të dyshuar është hapur rast në Polici, ndërsa gruaja bashkë me fëmijën, me vullnetin e saj ka shkuar për të jetuar te familja e saj.

/GazetaSinjali/