image 6 raste me koronavirus në Mitrovicë, sot testohen edhe rastet e tjera të kontaktit

Kosovë

Komuna/ 6 raste me koronavirus në Mitrovicë, sot testohen edhe rastet e tjera të kontaktit

news image

Pasi u konfirmuan edhe 5 raste të reja me koronavirus në Komunën e Mitrovicës, janë gjurmuar rastet e kontaktit dhe po vazhdon testimi edhe sot.

Nënkryetari i kësaj komune, Faruk Mujka ka thënë për Gazetën Sinjali se sot pritet të testohen edhe disa persona që janë evidentuar si raste kontakti.

“Po, testimi po vazhdon. Sot do të testohen edhe disa raste që janë evidentuar si raste kontakti të rasteve pozitive”, ka thënë Mujka duke mos dhënë shifra për testimet që do të kryhen sot.

Dje gjatë ditës janë testuar 49 raste kontakti në këtë komunë ku 5 prej tyre rezultuan pozitive.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, mbrëmë njoftoi për 10 raste të reja me koronavirus në Kosovë, ku 5 prej tyre ishin nga Komuna e Mitrovicës. Sipas njoftimit të gjitha rastet e regjistruara janë raste kontakti të rastit të parë e cila punonte në një qendër tregtare në Mitrovicë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se janë marr masa shtesë për të gjitha supermarketet që veprojnë në Mitrovicë, në mënyrë që qytetarët të jenë të mbrojtur më shumë nga ky virus.

Aktualisht në Kosovë janë gjithsej 823 raste me 336 të shëruar dhe 22 të vdekur./Gazeta Sinjali/