image 59% e viktimave të trafikimit në Kosovë janë fëmijë

Siguri

59% e viktimave të trafikimit në Kosovë janë fëmijë

news image

Policia e Kosovës që nga viti 2017 ka identifikuar 102 viktima të trafikimit me qenie njerëzore, 75 prej të cilëve janë nga Kosova, nëntë nga Shqipëria dhe pjesa tjetër nga Serbia, Mali i Zi, Moldavia dhe Çekia.

Sipas shefit të sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz, Riza Murati, 59 % e këtyre rasteve të trafikimit janë nën moshën 18-vjeçare.

“Rastet e trafikimit me qenie njerëzore janë raste të cilat janë shfaq në Kosovë, po them edhe më herët, duke marrë parasysh situatën që është krijuar pas luftës që ka gjet një treg të përshtatshëm për kërkesat që kanë qenë në Kosovë, ka ardhë si pasojë e kësaj që të identifikohen edhe viktimat e trafikimit”, tha ai.

“Kohëve të fundit pjesa më e madhe e tyre janë nga Kosova, ku prej 102 viktimave të identifikuara që nga viti 2017, e deri më tani që po flasim, 75 janë nga Kosova, ndërsa 9 janë nga Shqipëria dhe numrit tjetër kemi të bëjmë me viktimat e identifikuara nga Serbia, Mali i Zi”.

Ai shtoi se kanë pas raste të viktimave moldave, Çekisë dhe të Filipinesë.

Ndërsa sa i përket moshës 59%, e tyre bëjnë pjesë nën moshën 18 vjeçare d.m.th. që kemi të bëjmë me fëmijë” ka treguar Murati.

Sipas Muratit, gjendja ekonomike, moskujdesi prindëror, braktisja e shkollimit janë disa nga arsyet që viktimat janë pre e trafikimeve. Ai shtoi se viktimat zakonisht gjenden në vende jo të përshtatshme si në lokale të natës, klube të vallëzimit, në rrugë, por dhe në apartamente.

Murati shton se Policia e Kosovës i ofron viktimave strehim të sigurt dhe mbrojtje të identitetit, raporton KP.

Ndërkohë, Murati tha se Policia e Kosovës ka organizuar një drejtori në vete për t’u ballafaquar me këtë situatë.

“Kemi qëllimin më të mirë që t’i njohim indikatorët e hershëm, t’i njohim rastet e trafikimit. Pastaj ne kemi ndërmarrë edhe aksione të ndryshme që nga kontrolli i klubeve të natës, sallone të ndryshme, pastaj aksione të identifikimin e fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit”, ka shtuar ai./Gazeta Sinjali/