Endrit Dokle një nga emrat më të lakmuar të botës së krimit është shoqëruar sot në polici pasi dyshohet se ishte nën shoqërinë e një personi të armatosur. Dokle më parë ka qenë dënuar me burgim të përjetshëm për një seri vrasjesh të kryera në kuadër të bandës së Durrësit.
Ai është liruar nga burgu dy vite më parë nga qelitë e burgut të Fushë Krujës me argumentin se ka kryer 3 të 4 e dënimit, e për faktin se kishte edhe sjellje të mirë në burg dhe disa rrethana të tjera specifike.
Më herët është raportuar se Dokle kishte armiqësi me Ervis Martinajn i cili rezulton i zhdukur që prej muajit gusht. Madje babai i Martinaj kishte deklaruar në Polici se dyshonin se Dokle kishte gisht në zhdukjen e Martinajt. Pas kësaj deklarate Dokle është marrë në pyetje edhe për zhdukjen e Martinajt.
Edhe i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka rrëfyer se Ervis Martinaj ishte gati të jepte një shifër prej 500 mijë eurosh për eliminimin e Dokles.
Porosinë ia ka dhënë Dumanit. Ky i fundit ka deklaruar se ka marrë paradhënie 100 000 Euro.
Dumani shpjegoi se në emër të Martinajt e kanë takuar në Kosovë dy persona, Eli dhe vëllai i Besian Xhixhës. Sipas tij kanë shkuar me një automjet tip Hummer.
“Gjatë takimit Eli ka komunikuar me Ervisin dhe më tej me telefonin e Elit kam komunikuar me Ervisin që më ka propozuar vrasjen e Dokles”.
SPAK ka arritur të vërtetojë se Eli është pikërisht shtetasi Elvin Merlika, kurse shtetasi që Nuredini e prezanton si vëllai i Besianit është Alket Xhixha. Në vijim të komunikimeve Dumani ka marrë një shumë prej 100 000 Euro nga Martinaj. Këtë variant e ka konfirmuar edhe Henrik Hoxhaj i arrestuar po ashtu në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.