image 5 muaj burgim për komandantin e Zjarrfikësve që mbushi me derivate veturën private me para të Komunës

Drejtësi

5 muaj burgim për komandantin e Zjarrfikësve që mbushi me derivate veturën private me para të Komunës

news image

Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar me 5 muaj burgim, të akuzuarin me iniciale R.B., komandantin e Shërbimit të Zjarrfikësve, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas aktakuzës, R.B., derisa ishte në pozitën e Komandantit të Shërbimit të Zjarrfikësve, me datë 18.6.2019 në komunën e Kamenicës, përkatësisht në pompën e derivateve të naftës “Borovci Oil”, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare ose autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimin e dëmit të dëmtuarës shërbimit të zjarrfikësve, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke e mbushur automjetin e tij privat të markës BMW X3, me derivate në sasi prej 58 litra ose në vlerë 64,96 Euro, ndërkohë ka ofruar të dhënat e automjetit zyrtar të markës Mercedes.

Me këto veprime, gjykata vlerëson se i akuzuari ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka shqiptuar dënim prej 5 muaj burgim, gjithashtu i akuzuari obligohet që të kompensoj komunën e Kamenicës për dëmin e shkaktuar”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë në Gjilan.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​/Gazeta Sinjali/