image 4 persona vdiqën në 6 aksidente trafiku sot në Shqipëri

Shqipëri

4 persona vdiqën në 6 aksidente trafiku sot në Shqipëri

news image

Një aksident i rëndë u regjistrua mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Elbasan-Bradashesh. Një makinë tip ‘Volkswagen’ i ka ndërprerë rrugën një minibusi e për pasojë janë përplasur me njëra-tjetrën.

Si pasojë e këtij aksidenti janë plagosur 7 persona, një prej të cilëve ndërroi jetë. Personi i cili humbi jetë është pasagjeri në makinën tip ‘Volkswagen’ me iniciale K.D., teksa është plagosur dhe drejtuesja e kësaj makine, me iniciale F.B. Gjithashtu, nga ky aksident kanë mbetur të plagosur dhe 5 pasagjerë të minibusit.

Të plagosurit u nisën menjëherë në spitalin rajonal të Elbasanit për ndihmë mjekësore. Report Tv raporton se një prej të plagosurve aktualisht është në reanimacion dhe në gjendje kritike për jetën, transmeton Gazeta Sinjali.

Minibusi ishte nisur nga Korça me destinacion Tiranën. Deri më tani është ngritur grupi hetimor e cila po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti.

Këtë të diel janë shënuar 6 aksidente rrugore në qytete të ndryshme të vendit, ku në 3 prej tyre kanë ndërruar jetë 3 qytetarë. Fillimisht në orët e para të mëngjesit të sotëm në superstradën Lezhë-Milot humbi jetën Denis Dedgjonaj, 24 vjeç dhe mbeti i plagosur Ndue Pjetri.

Makina me të cilën udhëtonin ata doli nga rruga dhe përfundoi në një biznes. Gjithashtu dhe në Këlcyrë humbi jetën një 62 vjeçar i cili po udhëtonte me biçikletë teksa u godit nga një makinë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 07:00 në afërsi të fshatit Kutal. Policia ka shoqëruar drejtuesin e makinës në komisariat për sqarimin e plotë të ngjarjes./Gazeta Sinjali/