Shëndetësia e Kosovës përveç infrastrukturës së dobët dhe menaxhimit jo të mirë me vite të tëra, po ballafaqohet edhe me ikjen e mjekëve. Ikja e tyre për në vendet evropiane po del problemi kryesor për këtë dikaster dhe motivimi i tyre nuk është vetëm çështja financiare por janë edhe kushtet e punës dhe mundësitë për shkollim, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga Oda e Mjekëve të Kosovës për Gazetën Sinjali kanë konfirmuar se statistikat e fundit tregojnë që dhjetëra mjekë kanë kërkuar punësim për në shtetet e Bashkimit Evropian.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka thënë se vetëm në vitin e kaluar kanë qenë mbi 150 mjekë që kanë lëshuar Kosovën.
“Bazuar në të dhënat statistikore të orës së fundit, 80 mjekë kanë kërkuar dokumentin e nevojshëm për punësim në shtetet e BE-së kurse vitin e kaluar janë larguar 159 prej tyre“, është shprehur Sejdiu.
Ndërkaq Sejdiu tutje për Sinjalin thotë se edhe mjekët specialistë po e lëshojnë punën në Kosovë. Ai thekson se për këtë kategori nuk ka të dhëna nëse janë migrues të specializimeve prej sektorit publik në atë privat.
“Sa i përket mjekeve specialist, vitin e kaluar janë larguar 13 mjek specialist kurse këtë vit 7. Këta janë mjek qe janë larguar nga Kosova, por nuk kemi te dhëna për migrimin e specialisteve prej publikut ne sektorin privat”, thotë Sejdiu.
Sejdiu ka bërë të ditur edhe numrin e mjekëve të cilët janë të pa punë. Ai thotë se boshllëku në mjekësi është i madh me largimin e mjekëve, duke shtuar se mungesë do të vërehet më shumë pas 5 vjetësh.
“Momentalisht kemi në regjistrin e OMK-së mbi 580 mjek të lajmëruar si të papunësuar! Boshllëku është më së evident, sidomos në mjekësinë primare, por jo vetëm shqetësimi është për situatën pas 3-5 vjetësh kur presim krizën për mjek”, thotë ai.
Numri i mjekëve specialistë që kanë ikur nga Kosova nga të dhënat e fundit në Kosovë, ka qenë mbi 400.
Ndryshe, sipas të dhënave, paga bruto e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa në Gjermani, ata paguhen deri në 4 mijë euro.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), thuhet se më 2020 numri i përgjithshëm i të punësuarve në sistemin shëndetësor ishte 13,518. Prej tyre, 3,555 ishin mjekë specialistë, kurse 8,386 infermierë dhe 1,577 staf jomjekësor.
Ndryshe në Kosovë llogariten se janë mbi 24 mijë punonjës shëndetësorë të licencuar dhe prej tyre janë rreth 15 mijë gra e mbi 9 mijë burra.