image 30 ditë paraburgim për dy personat që zhvarrosën kufomën që ia dorëzuan gabimisht familjarëve

Drejtësi

30 ditë paraburgim për dy personat që zhvarrosën kufomën që ia dorëzuan gabimisht familjarëve

news image

Gjykata Themelore në Prizren u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy personave që varrosën gabimisht në Prizren dy viktima nga koronavirusi.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se dy personat, M.N. dhe E.R. dyshohet se e kanë kryer veprën penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave”.

Pasi e kanë kuptuar ngatërresën, ata dyshohet se i kanë paguar me 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e njërës viktimë dhe ta varrosin tjetrën. Kjo sipas Gjykatës është bërë pa prezencën e familjarëve dhe pa e njoftuar Policinë.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore në Prizren:

Caktohet masa e paraburgimit ndaj një (2) të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Dëmtimi i varreve apo kufomave Prizren, 11 shkurt 2022 – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Sadije Selmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 10.03.2022, ndaj të pandehurve M.N., dhe E.R., për shkak të dyshimit zë bazuar se kanë kryer veprën penale Dëmtimi i varreve apo kufomave nga neni 413 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar: Me datë 09 shkurt, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij. Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K.

Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K. Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D. Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartcekuar, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K. E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë.

/GazetaSinjali/