image 248 ditë në krye të tabelës të cilat s'i mjaftuan për t'u shpallur kampion, si e humbi Arsenali titullin e ligës?

Futboll

248 ditë në krye të tabelës të cilat s’i mjaftuan për t’u shpallur kampion, si e humbi Arsenali titullin e ligës?

news image

Manchester City tashmë edhe zyrtarisht është kampion i ri i Premier League për sezonin 2022-23.

Humbja e sotme e Arsenalit 1-0 si mysafir ndaj Nottingham Forestit, bëri që Manchester City ta siguronte edhe matematikisht titullin e kampionit.

Është ky titulli i tretë radhazi i fituar nga “Qytetarët” apo i pesti në 6 vitet e fundit dhe i nënti në total i tyre i ligës.

Rivali kryesor i klubit nga Manchesteri për këtë edicion, ishte skuadra e londrës veriore, Arsenali.

Ndonëse ata përpara fillimit të sezonit e kishin objektiv futjen në Top 4 dhe pjesëmarrjen në Champions League për sezonin e ardhshëm, ambiciet e tyre u rritën ndeshje pas ndeshje, me skuadrën e drejtuar nga Mikel Arteta që po ‘sundonte’ kampionatin me lojën ofanzive dhe të bukur, krahas të cilave nuk mungonin as rezultatet.

‘Topçinjtë’ ishin në krye të tabelës që nga xhiro-ja e parë e deri në këto të fundit, vetëm për ta humbur atë në qastet e fundit titullin, të cilin e kishin në duart e tyre.

Në fakt, londinezët shpenzuan plot 248 ditë në krye të tabelës, që tashmë është një rekord.

Me kaq ditë në krye, nuk kishte ndodhur kurrë më parë që një skuadër të mos ta fitonte titullin e ligës. Arsenal pra bëhet skuadra e parë qe me kaq ditë (248), nuk arrin të shpallet kampion, raporton kompania për mbledhjen e statistikave ‘Opta’, përcjell Sinjali Sport.

‘Gunners’ deri në xhiron e 31-të kishin një avantazh prej 8+ pikëve nga Manchester City (1 ndeshje më pak nga ‘Citizens’), dhe që atëherë arritën vetëm dy fitore në 8 ndeshjet e fundit, karshi tre barazimeve e tre disfatave.

‘Qytetarët’ – të cilët tashmë janë ‘kalitur’ me këtë gjë – duke hyrë në seri fitoresh në këtë fazë kyçe të sezonit tash e disa vite – sigurisht se nuk e lëshuan një moment të tillë, për t’i shfrytëzuar dështimet e njëpasnjëshme të Arsenalit.

Man City hyri në një seri prej 11 fitoreve radhazi (vazhdon), për të kaluar Arsenalin në tabelë në xhirot e fundit, dhe tashmë kur atyre iu kanë mbetur edhe dy xhiro për t’i luajtur deri në fund, ata e gjejnë vetën në 4+ pikë përpara londinezëve, për të siguruar një tjetër titull nga ta.

Arsenal mblodhi 50 pikë pas 19 xhirove të para (diçka që nuk kishte ndodhur as në sezonin kur ata u shpallën kampion më 2003-04), por dëshpërimisht arriti vetëm 31 pikë në 18 ndeshjet e ardhshme (një pa përfunduar), që rezulton se faza e dytë e sezonit doli të ishte fatale për fatin e tyre.

Londinezët shpresuan që ky ishte fundi i një pritjeje 19-vjeçare për titullin kampion, duke u stolisur për herë të fundit në sezonin 2003-04, në një kampanjë të paharrueshme dhe rekorde, ku u bënë skuadra e parë në histori që mbyllin një sezon të Premier League pa asnjë humbje. Atë sezon ata i kishin arritur 90 pikë.

Me një xhiro pa përfunduar, ata këtë sezon ishin farë pranë që të paktën të barazonin rekordin e pikëve të po atij sezoni, sikur t’i fitonin tri ndeshjet finale të sezonit.

Numri i tyre më i mirë i pikëve në dy dekadat e fundit, përveç sezonit “të pamposhtur”, erdhi në 07/08, ku ata mblodhën 83 pikë në sezon për të përfunduar të tretin, pavarësisht se humbën vetëm tre herë gjatë atij sezoni.

‘Gunners’ tashmë mund të mburren vetëm me faktin për më së shumti pikë të mbledhura pas atij sezoni 03/04, ku do të mblidhnin 84 pikë, nëse triumfojnë në xhiron finale, e cila zhvillohet në Emirates ndaj Wolves.

/GazetaSinjaliSport/