RENEA ka arrestuar Aldi Ramën, i dyshuari kryesor për vrasjen e nënkomisarit të policisë, Saimir Hoxhës, mëngjesin e sotëm në Lezhë, shkruan Gazeta Sinjali.
ReportTV raporton se 21-vjeçari është në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi që qëlloi veten dy herë, pas pesë orësh në arrati nga forcat e RENEA dhe FNSh.
Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Lezhës, por për shkak të gjendjes kritike, i intubuar, ai u transferua drejt Tiranës, për ndihmë të specializuar mjekësore.
KËTU mund ta shihni videon, kur 21-vjeçari mbërrin në Urgjencën e Lezhës me barelë, i rrethuar nga policët.
Ngjarja e rëndë nisi me vrasjen e Hoxhës në orën 10:30 në zonën e kenetës “Laguan Vain”. Zyrtarisht policia nuk është deklaruar akoma për rolin e policisë paraditen e sotme në Vain, por deri tani ka dy versione.
Një version që thuhet se policët u përballën me autorin, pasi ishin në inspektim për parcelë droge dhe një version tjetër dhënë nga shefi i policisë kriminale në Lezhë, që ai bashkë me nënkomisar Saimir Hoxhën dhe një punonjës tjetër, shkuan në Vain të Lezhës në kërkim të Xhulio Vokrrit, i cili në datë 17 shtator kishte plagosur në Manati të Lezhës, Paulo Bushin. Policia kishte informacion se Vokrri shoqërohej me Aldi Ramën, autorin e krimit të sotëm.
Rrugës nëpër kënetë, përballë u shfaqet makina e 21-vjeçarit, i cili qëndronte në shtëpinë e xhaxhait të tij në Ishull Lezhë. Ai dyshohet se shtiu me armë në drejtim të oficerit Saimir Hoxha, sapo iu kërkua të ndalonte makinën. Më pas u largua me shpejtësi në mes të pyllit.
Saimir Hoxha, 44-vjeçar, baba i dy fëmijëve, vëllai i kryegjyqtares së Pukës, mori një plumb vdekjeprurës në krah të majtë të zemrës dhe megjithëse u dërgua në spital, nuk arriti të mbijetojë.
Policia vuri si shpërblim për këdo që dërgonte informacion mbi vendndodhjen e autorit, 20 mijë euro. Në vendin e ngjarjes shkuan forcat RENEA dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj.
Në mbështetje të forcave këmbësore, shkuan edhe dy helikopterë. Vendndodhja e autorit u lokalizua pasi 21-vjeçari qëlloi në drejtim të helikopterit të RENEA-s gjatë operacionit për kapjen e tij.
Dyshimet e para ishin se ai u fsheh në një vilë në mes të Vainit, por policia nuk e gjeti aty. Dy persona janë të shoqëruar për këtë ngjarje, të cilët dyshohen se mund të kenë qenë në automjet me autorin e krimit.
Aldi Rama ka qenë i ndaluar në vitin 2018 për herë të parë për prodhim dhe shitje narkotikësh, ndërsa në vitin 2020 është ndaluar sërish parë mbajtje pa leje e armëve të ftohta./Gazeta Sinjali/