Policët rrugorë të kryeqytetit të Shqipërisë ia kanë vënë prangat një 18-vjeçari për mosbindje dhe mbajtje pa të drejtë të simboleve të Policisë.
Por arrestimi i 18-vjeçarit erdhi vetëm pas një ndjekjeje përreth një orëshe si në video-lojërat e GTA-së, transmeton Gazeta Sinjali.
“Gjatë patrullimeve policore parandaluese, nga efektivët e Policisë Rrugore Tiranë, i është dhënë shenjë ndalimi për shkelje të semaforit një automjeti në bulevardin “Gjergj Fishta”, me drejtues shetasin V. H., i cili jo vetem nuk i është bindur sinjalit “Ndal” të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë, duke rrezikuar patrullat e Policisë që e ndiqnin, si dhe përdoruesit e tjerë të rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
18-vjeçari është arrestuar vetëm 24 orë pasi e kishte marrë patent shoferin, njofton Policia.
Vetëm pasi bllokuan të gjithë rrugën me një kamion në periferi të Tiranës, Policia arriti ta arrestojë 18-vjeçarin. /Gazeta Sinjali/