Kryetari në detyrë i Podujevës, Nexhmi Rudari ka thënë për Gazetën Sinjali se dy personat e infektuar me koronavirus nga kjo komunë kanë qenë të shtrirë në Klinikën Universitare në Prishtinë, të njëjtit pas analizave kanë rezultuar të prekur me Covid-19.
Rudari është shprehur se të infektuar janë një fëmijë 16 vjeç dhe një grua. Sipas tij, 16 vjeçari kishte pasur që t’i nënshtrohet një operacioni.
“Të dytë kanë qenë pacient në Klinikën Universitare për sëmundje të ndryshme që i kanë pasur. Njëri ka pas me e bë një operacion në kirurgji, 16 vjeçar dhe si duket atu e ka marrë infeksionin. Mund të hamendësoj sepse saktësisht nuk e di. Tjetri një paciente e shtrirë në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë, dytë janë të diagnostikuar, kur u janë bërë analizat për me i fut në operacion janë diagnostikuar me Covid-19”, ka thënë Rudari për Gazetën Sinjali.
Ai ka thënë se ekipet e mjekëve dhe kompania për dezinfektim i kanë vizituar familjarët e personave të prekur, por të njëjtit nuk kanë pasur simptoma të virusit.
“Në Podujevë menjëherë i kemi vizuar familjen, ata janë qe një kohë në Klinikë. Familjet nuk e kanë asnjë simptomë, por ekipet e mjekësisë dhe kompania e dezinfektimit kanë qenë tek familjarët”.
Rudari ka thënë se nëse familjarët e tyre vërejnë simptoma të lajmërohen në numrat emergjent.
“Nëse vërejnë ndonjë simptomë familjarët janë udhëzuar që me u lajmërua në numrin kujdestar në emergjence edhe me ju përmbajt rregullave të vetizolimit”.
Deri më tani në Kosovë janë 780 persona të infektuar me koronavirus, prej tyre 201 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur. /Gazeta Sinjali/