Dita e sotme shënon 138 vjetorin e lindjes së Fan Stilian Nolit, i cili kujtohet si i pari që mbajti meshën në gjuhën shqipe në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ai njihet edhe për veprat, përkthimet, publicistikën, si politikan e diplomat.
Ai lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (Ibrik-Tepe, Turqi). Fan Noli ishte protagonist i përpjekjeve dhe i zhvillimeve politike e kulturore gjatë Rilindjes Kombëtare e pas saj, duke luajtur një rol themelor në këto zhvillime. Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme e të jashtme, Noli i shtjelloi në shkrime e fjalime në vitet 1921–1924.
Personalitet poliedrik, erudit poliglot, Noli është gjeniu i kulturës shqiptare të shek. XX. Një pjesë të mirë të forcave të tij, Fan Noli ua kushtoi gazetarisë dhe publicistikës duke bërë objekt kritike realitetet shoqërore e politike të shoqërisë shqiptare në vitet e monarkisë.
Noli ishte ndër mjeshtrit e poezisë shqipe. Përmbledhja e parë dhe e vetme poetike e tij është “Albumi” (Boston, 1948).
Krijimet e tij himnizuan traditat historike të shqiptarëve (“Hymni i Flamurit”, “Shpell’e Dragobisë”, “Syrgjyn-vdekur” etj.), dhe figurat e bashkëluftëtarëve të tij, atdhetarëve demokratë, shprehën shpresën e shtresave demokratike për liri, drejtësi e përparim (“Anës lumenjve”, “Rend or marathonomak”), satirizuan me një stil sarkastik anakronizmin feudal (“Kënga e Salep Sulltanit”, “Marshi i Barabajt” etj.).
Duke u nisur nga përvojat individuale dhe duke aktualizuar motivet dhe alegorinë biblike, Noli i dha poezisë shqiptare një përmasë universale dhe një thellësi filozofike.
Fan Noli u kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike. Në këtë fushë interesat e tij u përqendruan rreth jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Monografitë “Historia e Skënderbeut” (botimi i dytë i plotësuar dhe i ripunuar, 1947) dhe “Historia e Skënderbeut” (1949) në gjuhën angleze, shënojnë një etapë më të lartë në studimet për Heroin Kombëtar
Njeri me interesa të gjera krijuese, F. Noli u mor edhe me muzikologji; monografia e tij “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” (1947) në gjuhën angleze u çmua lart nga specialistë dhe personalitete të shquara europiane të kohës. (B. Shou, T. Man, etj.).
Ai është autor edhe i një vargu kompozimesh muzikore, nga të cilat vlen të përmendet një rapsodi për Skënderbeun etj.
Fan Noli la përkthime mjeshtërore të disa kryeveprave të shkrimtarëve të mëdhenj botërore, si: U. Shekspir, E. Poe, H. Longfellou, H. Ibsen, M. Servantes, O. Khajam. Ai u bë themeluesi i shkollës shqiptare të përkthimit, që nën shembullin e tij, arriti në vitet që erdhën më pas, nivele të larta cilësore.
Veprat që përktheu Fan Noli i shoqëroi me introdukta (hyrje) duke aktualizuar idetë e tyre përmes një kritike eseistike që thekson rolin shoqëror të artit.
Një vend të veçantë në punën e Nolit si përkthyes zënë përkthimet fetare. Për të pajisur kishën ortodokse shqiptare me literaturën përkatëse në gjuhën shqipe, ai përktheu një varg tekstesh për shërbesat kishtare.
Fan Noli përktheu dhe në anglisht dy kryevepra të letërsisë biblike “New Testament” (Dhjata e re, 1961) dhe “The Psalms” (Psalmet, 1964), të cilat u përdorën në praktikën liturgjike edhe të kishave të tjera ortodokse në Amerikë.
Fan Noli është dhe autor i dy dramave: “Zgjimi” (greqisht, e pabotuar) dhe “Izraelitë dhe filistinë” (1907), me subjekt nga Bibla, por me përmbajtje filozofike dhe me tingëllim aktual për kohën kur u shkruan.
Vepra e gjithanshme e Fan Nolit luajti një rol të rëndësishëm për formimin shpirtëror të intelektualëve demokratë dhe për emancipimin e përgjithshëm të shoqërisë e të kulturës shqiptare./Gazeta Sinjali/