Tërmetet që goditën sot Shqipërinë kanë shkaktuar dëme të mëdha. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në orën 19:30 informoi se nga lëkundjet janë dëmtuar 7 pallate në Tiranë dhe Durrës. Ndërkohë rreth 130 banesë janë dëmtuar në zona të ndryshme të kryeqytetit, Durrësit, Fierit dhe Elbasanit. Fatmirësisht, deri në mbrëmje, nuk ka të dhëna për viktima.
Ministria e Shëndetësisë raporton për 105 të lënduar dhe të plagosur lehtë në Durrës dhe në Tiranë. Të dhënat janë paraprake dhe institucionet deklarojnë de mund të rriten në orët në vijim.”Në këto spitale kanë marrë shërbim mjekësor 105 qytetarë të lënduar nga tërmeti, nga të cilët 74 qytetarë kanë marrë shërbim në spitalin e Traumës“, njoftoi Ministria e Shëndetësinë në orën 21:30.
Dëmet nga tërmeti sipas zonave
-Qarku Tiranë. Dëmtime, kryesisht krisje, në 46 banesa e 3 pallate në Farkë, Zonën e Astirit, Dajt, Komunën e Parisit, njësia administrative 2 dhe 6, si dhe në Pezë, Kashar, Zallherr, dhe Kodër Sharrë,
-Në qarkun Durrës, në Shijak dhe në Durrës qytet raportohen dëme ne 4 pallate dhe 42 banesa, kryesisht te vjetra.
-Në bashkinë Librazhd janë dëmtuar 7 banesa.
-Në qarkun Dibër, bashkia Klos, njësia administrative Xibër raportohen 4 banesa të dëmtuara, nga të cilat një e rrëzuar.
-Në bashkinë Berat ka një banesë të dëmtuar.
-Në qarkun Lezhë, në qytet ka dëme të lehta në 4 banesa.
-Në qarkun Fier, janë shënuar 4 banesa të dëmtuara lehtë në Bashkinë Lushnje, dhe njësinë administrative Fier Shegan, por ajo që është e rëndësishme, pak më parë u konfirmua që nuk ka asnjë dëm në puset e naftës.