Federata Shqiptare e Futbollit gjatë punimeve të Asamblenë së Përgjithshme të Zakonshme të 2 marsit miratoi një rezolutë, nëpërmjet të cilës dënonte agresionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.
Të gjithë delegatët e Asamblesë së FSHF-së në unanimitet u solidarizuan menjëherë me popullin ukrainas dhe në veçanti me komunitetin e futbollit ukrainas.
Paralelisht, Federata Shqiptare, ka pasur vazhdimisht komunikime institucionale dhe personale me zyrtarët e Federatës Ukrainase të Futbollit gjatë gjithë kësaj kohe, që nga nisja e sulmit ushtarak rus në Ukrainë.
Presidenti i Federatës së Ukrainës, Andrii Pavelko, i cili është gjithashtu anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ka marrëdhënie miqësore me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka dhe të dy kanë biseduar vazhdimisht ditë pas dite për zhvillimet që po ndodhin në Ukrainë e për mënyrën se si pala shqiptare mund të ndihmojë sadopak komunitetit ukrainas të futbollit në këtë moment të vështirë.
“Duke pasur një përvojë fatkeqësisht të ngjashme luftërat dhe me mikpritjen që i kemi bërë popullit të Kosovës më shumë se dy dekada më parë, FSHF e ndjen fare mirë tragjedinë dhe dramën që po kalojnë ata njerëz në Ukrainë”.
Për këtë arsye FSHF ka shprehur të gjithë gatishmërinë për të mikpritur rreth 100 familje nga komuniteti i futbollit ukrainas, që pritet të vijnë në Shqipëri për t’u strehuar për një periudhë të pacaktuar.
Federata Shqiptare e Futbollit është në diskutime intensive me Federatën e Ukrainës për të planifikuar të gjithë teknikalitetet përkatëse, që nga transporti, përzgjedhja e familjeve, udhëtimi për në Shqipëri dhe deri te akomodimi.
“FSHF do të bëjë gjithçka që këto familje të ndihen si në shtëpi në Shqipëri, duke mbuluar edhe shpenzimet përkatëse. Sakaq, pritet një përgjigje përfundimtare nga Federata e Ukrainës, që do të përzgjedhë familjet më në nevojë për të nisur punën në terren për sjelljen e tyre në Shqipëri”.