image Milionat e qytetarëve të shpenzuara nga partitë

Kosovë

Përfitimet/ Milionat e qytetarëve të shpenzuara nga partitë

news image

Gjatë legjislaturës së fundit, 10 milionë e 500 mijë euro janë shpenzuar nga buxheti i shtetit për partitë politike dhe grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në bazë të ligjit është i obliguar të ndajë fonde për partitë politike jo më shumë se 0.17% nga buxheti vjetor i shtetit.

Koalicioni PAN ka marrë më së shumti para nga fondi i KQZ-së, për shkak të numrit më të madh të deputetëve, prej 39 deputetë nga nëntë parti politike: PDK, AAK, Nisma, Partia e Drejtësisë, Lëvizja për Bashkim, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Alternative Demokratike e Kosovës, Republikanët e Kosovës si dhe Partia e Ballit përbënin këtë koalicion, raporton Gazeta Sinjali.

Që nga shtatori i vitit 2017 kur ishte konstituar Qeveria Haradinaj deri në shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht, partitë e koalicionit PAN  kanë marrë 3 milionë e 71 mijë euro për përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, ndërsa si grupe parlamentare kanë marr 341 mijë e 250 euro.

Lëvizja Vetëvendosje, është partia e dytë me numrin më të madh të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në kohën kur ishte konstituar Qeveria Haradinaj. 32 deputetë kishte pasur kjo parti politike para se 12 prej tyre të largohen nga VV.

Vetëvendosje në total ka përfituar 2 milionë e 520 mijë euro, ndërsa grupi i saj parlamentar, 280 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në legjislaturën e fundit të Kuvendit të Kosovës, nga fondi i KQZ-së kishte fituar 2 milionë e 283 mijë e 750 euro. 253 mijë e 750 euro i kishte fituar për grupin e saj parlamentar në Kuvend.

Grupi i katërt që ka pasur përfaqësimin më të madh në Kuvendin e Kosovës është Lista Serbe me 9 deputetë. Ajo për tri vite sa ka pasur mandat në Kuvendin e Kosovës ka fituar 708 mijë e 750 euro si parti politike, ndërsa për shkak të grupit parlamentar ka fituar 78 mijë e 750 euro.

KQZ për në vitin 2017 për legjislaturën e gjashtë kishte pasur 2 milionë e 100 mijë euro në dispozicion për ndarjen e fondeve ndaj partive që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë në vitin 2018 si dhe në atë 2019, KQZ kishte pasur në dispozicion nga 4 milionë e 200 mijë euro.

Sipas fondit për mbështetjen e partive politike, përmes buxhetit të shtetit nuk duhet të jetë më i lartë se 0.17%.

Partitë politike këtë fond e përdorin për aktivitete partiake, financimin e degëve të partive politike, shpenzimet e deputetëve dhe grupeve parlamentare si dhe për shpenzime të zgjedhjeve lokale dhe qendrore.

Ndërkohë financimet e tjera të partive politike vazhdojnë të mbesin misterioze për shumë qytetarët e vendit, lidhur me financat e siguruara që nuk kanë një burim të qartë dhe transparent për publikun./Gazeta Sinjali/