image ​Njohjet e reja peng të marrëveshjes finale me Serbinë

Kosovë

​Njohjet e reja peng të marrëveshjes finale me Serbinë

news image

Njohjet e reja për Kosovën po vazhdojnë të mbesin peng i marrëveshjes finale me Serbinë. Pavarësisht njohjes së fundit nga Izraeli në kuadër të marrëveshjes së Washingtonit, institucioneve kosovare po u kërkohet strategji e qartë për fushatën që do t’i sillte vendet njohje të reja.

Madje nga opozita vlerësojnë se vendimi për mosanëtarësim gjatë 1 viti në organizata ndërkombëtare do të ndikojë që të mos ketë diçka konkrete në procesin e njohjeve bilaterale me shtetet tjera.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla u shpreh se gjatë kësaj periudhe është duke punuar me shtetet njohëse për vendosjen e marrëdhënieve të mira dhe për të siguruar se nuk do të ketë tërheqje të njohjeve.

Kryediplomatja kosovare konsideron se në të kaluarën, Kosova përkrahjen e shteteve njohëse në anëtarësime ndërkombëtare e ka marrë si të mirëqenë, pa i funksionalizuar lidhjen ndërmjet veti.

“Në disa nisma të anëtarësimit të cilat i ka ndërmarrë vendi, ka pasur edhe shtete njohëse që nuk kanë votuar fare, ose kanë abstenuar kur kemi zhvilluar aktivitete për anëtarësim në një organizatë ndërkombëtare.

Kjo ka treguar saktë që Kosova te shumë shtete njohëse, përkrahjen e tyre e ka marrë si të mirëqenë. Nuk ka bërë asgjë për të funksionalizuar dhe ndërtuar këtë lidhje në aspekte të ndryshme të interesit të përbashkët. Për këtë kanë ndërmarrë hapa menjëherë dhe pandemia më ka lejuar që përmes mjeteve teknologjike me fol me së paku përmbi dy të tretat e shteteve njohëse i kam mbuluar.

Gjeografikisht nëse shihet që së paku kemi bërë një telefonatë ose takim virtual jemi siguruar që nuk do të tërhiqet njohja. Jemi në marrëdhënie të mira, të sigurta, të rregullta. Synojmë me thellua këtë marrëdhënie, besoj që jemi në rregull. Jemi në drejtim të duhur që me i siguruar edhe shtetet njohëse që Kosova ka interesim me i thellua marrëdhëniet edhe më tej”, ka thënë ajo javën e kaluar në Komisionin për Integrim Evropian.

Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, kërkon fuqizim të mekanizmave ndërkombëtarë për të shtrirë lobimin që të mos ketë stagnim tjetër të njohjeve të reja.

“Të na ofrohet një strategji e qartë për fushatën që duhet ta bëjë ministria për njohje të reja. E thatë edhe ju se përveç Izraelit gjatë kësaj faze nuk kemi pasur asnjë informatë se cilat do të jenë njohjet e reja të Kosovës. E kemi pasur një stagnim në kuptimin e njohjeve.

Andaj, ajo që duhet të kërkojmë është që Kosova të vazhdojë agjendën e saj, të shtrijë edhe më tepër lobimin, të fuqizojë mekanizmat e saja ndërkombëtarë dhe ambasadat, në mënyrë që këto njohjet të mos stagnohen.

Kosova të mos mbetet prapa në kuptimin e njohjeve, ajo që kemi parë gjatë këtyre viteve është se qeveritë e fundit nuk kanë pasur një perspektivë në kuptimin e fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës dhe njohjeve të reja”, thotë ajo për KP.

Më skeptike për njohje të reja shprehet deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi.

“Ky është vendimi më i pa precedent që mund të ketë marrë ndonjë shtet. Nuk ka asnjë shtet në botë që ia suspendon vetës sovranitetin dhe të drejtën për me u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare… Lobimet mund të ndodhin të cilat i kemi pasur edhe në të kaluarën të këtij stili, kjo që ne kemi marrë një vendim aty këtu, i cili nuk ka një ndikim negativ. Çdo hap, çdo deklarim e qasje që e bën qeveria jonë, Ministria e Punëve të Jashtme, ndikon në procesin e avancimit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi thotë se njohjet e reja janë të ndërlidhura me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Procesi i njohjeve të reja ka kohë që është dëshmuar që është peng në një mënyrë i procesit të dialogut me Serbinë. Ndonëse ende nuk e shoh të mundshme një epilog të suksesshëm të këtij procesi, mendoj që përditë e më tepër po bëhet e qartë se marrëveshja ndërkombëtare me Serbinë kërkon ndërhyrje të faktorëve ndërkombëtarë”, thotë ai.

Viteve të fundit Kosova ka pasur stagnim në sigurimin e njohjeve të reja, derisa ka pasur pretendime nga Serbia se disa shtete edhe e kanë tërhequr njohjen për Kosovën./Gazeta Sinjali/