image ​Fluks i madh i bashkatdhetarëve drejt Kosovës, pritjet ishin mbi tri orë

Kosovë

​Fluks i madh i bashkatdhetarëve drejt Kosovës, pritjet ishin mbi tri orë

news image

Një numër i bashkatdhetarëve edhe sot ia kanë mësyrë Kosovës, teksa presin nëpër pikat kufitare. Derisa në kufirin Kroaci-Serbi, kolonat ishin deri në 8 kilometra, në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, pritjet ishin mbi tri orë, shkruan Gazeta Sinjali.

Numër i madh i autobusëve është parë teksa hynin në vendin tonë edhe në mbrëmje. Ardhjet e mërgimtarëve në mbrëmje u panë edhe në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”. Teksa ishin rreth 50 qytetarë të cilët për shkak të pandemisë pritnin të afërmit e tyre jashtë aeroportit.

Ata që kishin ardhur, përkundër pandemisë me koronavirus, shprehen të lumtur që kanë ardhur në Kosovë.

Mërgimtari nga Gjermania, Demë Dreshaj ndihet i lumtur që ka ardhur në Kosovë.

“Ndihemi shumë të lumtur të vijmë në shtetin dhe vendin tënd. Ia vlen me çdo çmim”, shprehet Dreshaj.

Ndërsa, mërgimtari tjetër Armend Nikqi thotë se ka dy vjet që nuk ka mundur të vijë në Kosovë.

 “Mirë shumë, ia ka vlejtur. Që dy vjet (s’kam ardhur). Kam bërë përpjekje, por kemi pasur disa ndalesa dhe nuk kemi mund të vijmë”, ka thënë Nikqi.

Ndërsa një qytetar tjetër, Qendrim Palatani ka thënë se çdoherë ja vlen me vizitu Kosovën.

“Shumë mirë po ndihem, ia vlen çdoherë për të ardhur në Kosovë”, ka thënë Palatani.

Edhe qytetari tjetër që erdhi sot nga Gjermania, Atdhe Palatani thotë se që një vit nuk ka ardhur në Kosovë, dhe ndihet i lumtur që pati mundësi të vijë.

“Super, prej Shtutgardit”, ka thënë Palatani për KP.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dje përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur që vetëm ditën e djeshme në Kosovë kanë arritur mbi 9 mijë bashkatdhetarë dhe janë realizuar gjithsej 35 fluturime komerciale.

Ndryshe, qytetarët tanë nga diaspora, të cilët kanë marrë rrugën për Kosovë, për të kaluar pushimet, nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen testit PCR, ndërsa përjashtim bëjnë vetëm ata që nuk kanë vendbanim në Kosovë dhe të cilët vijnë nga vendet e klasifikuara me “rrezik të lartë” sipas klasifikimit që bën Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjes (ECDC).

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë, kanë bërë të ditur se qytetarët nga diaspora mund të hyjnë brenda territorit të Kosovës pa qenë të obliguar që të testohen dhe të kenë një test PCR negativ.

Asnjë qytetar i Kosovës që vjen në Kosovë, me apo pa PCR test, nuk i nënshtrohet kurrfarë karantine apo izolimi 14 ditorë, ndërsa ata që vijnë nga shtetet e klasifikuara me rrezik të lartë dhe që nuk kanë vendbanim në Kosovë, duhet të qëndrojnë për 7 ditë në vetizolim, si masë parandalimi kundër përhapjes së virusit.

/Gazeta Sinjali/