image ​Sa janë pagat minimale në BE e sa në rajon?

Rajon

​Sa janë pagat minimale në BE e sa në rajon?

news image

Paga më e lartë minimale ndër vendet e BE-së është ajo në Luksemburg me 2.257 euro, pasuar nga Irlanda me 1.775, Holanda 1.725 dhe Belgjika me 1.658 euro.

Në vendet e rajonit, të cilat nuk janë pjesë e BE-së, paga më e ulët minimale është në Kosovë – 170 euro, ndërsa pak më mirë qëndron Shqipëria me 248 euro.

Që nga 1 janari 2022, 21 nga 27 shtetet anëtare të BE-së kanë paga minimale kombëtare, duke bërë përjashtime Danimarkën, Italinë, Qipron, Austrinë, Finlandën dhe Suedinë. Bazuar në nivelet e tyre në euro, 21 shtete anëtare mund të ndahen në tre grupe kryesore.

Në janar 2022, 13 shtete anëtare, të vendosura në lindje dhe jug të BE-së, kishin paga minimale nën 1000 euro në muaj: Bullgaria (332), Letonia (500), Rumania (515), Hungaria ( 542), Kroacia (624), Sllovakia (646), Çekia (652), Estonia (654), Polonia (655), Lituania (730), Greqia (774), Malta (792) dhe Portugalia (823).

Në Slloveni (1.074 euro) dhe Spanjë (1.126 euro) pagat minimale varionin pak më shumë se 1.000 euro në muaj, ndërsa në gjashtë shtetet e mbetura anëtare, pagat minimale ishin mbi 1.500 euro në muaj: Franca (1.603), Gjermania (1.621), Belgjika (1.658), Holanda (1.725), Irlanda (1.775) dhe Luksemburgu (2.257).

Për krahasim, paga minimale federale në Shtetet e Bashkuara ishte 1.110 euro në janar 2022.

Ky informacion vjen nga të dhënat për pagat minimale të publikuara nga Eurostat.

Në grupin e 21 shteteve anëtare në analizë, paga minimale më e lartë ishte pothuajse 7 herë më e lartë se ajo më e ulëta.

Megjithatë, pabarazitë janë dukshëm më të vogla pasi të merren parasysh diferencat e nivelit të çmimeve. Kur shprehet në standardin e fuqisë blerëse (PPS), pagat minimale në shtetet anëtare me nivele çmimesh më të ulëta bëhen relativisht më të larta krahasuar me ato në shtetet anëtare me nivele më të larta çmimesh.

Duke eliminuar diferencat e çmimeve, pagat minimale varionin nga 604 PPS në muaj në Bullgari në 1.707 PPS në Luksemburg, që do të thotë se paga minimale më e lartë ishte pothuajse tri herë më e lartë se ajo më e ulëta. Bazuar në këtë, mund të dallohen dy grupe kryesore: grupi 1 me pagë minimale kombëtare mbi 1.000 PPS dhe grupi 2 me pagë minimale kombëtare nën 1.000 PPS.

Grupi 1 përfshin Luksemburgun, Gjermaninë, Holandën, Belgjikën, Francën, Irlandën, Slloveninë, Spanjën, Poloninë dhe Lituaninë. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1.038 PPS në Lituani deri në 1.707 PPS në Luksemburg. Ndërsa në grupin 2 bëjnë pjesë Rumania, Portugalia, Malta, Kroacia, Greqia, Hungaria, Çekia, Estonia, Sllovakia, Letonia dhe Bullgaria.

Pagat minimale kombëtare për këtë grup varionin nga 604 PPS në Bullgari deri në 949 PPS në Rumani.

Të gjitha vendet kandidate dhe kandidate potenciale me një pagë minimale kombëtare i përkasin grupit 2, me nivele të pagave minimale që variojnë nga PPS 401 në Shqipëri deri në PPS 888 në Mal të Zi. Shtetet e Bashkuara (PPS 920) i përkasin grupit 2.

Kosova nuk është e përfshirë në raportin e Eurostatit.

Nga vendet e rajonit, Mali i Zi ka pagë minimale 533 euro, Serbia 401, Maqedonia e Veriut 359, Bosnje e Hercegovina 300 (275 për Federatën e Bosnjës dhe 300 për Republikën Serbe), Shqipëria 248 dhe Kosova 170 euro.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka propozuar që rritja e pagës minimale të jetë në 264 euro, por sindikatat janë shprehur të pakënaqura duke thënë se ajo duhet të jetë më e madhe, madje kërkojnë nga 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit për paga, duke kërcënuar me greva në rast të mos përmbushjes së kërkesave/KP.

/GazetaSinjali/