Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar udhëzimin e ri administrativ, i cili përcakton mënyrën se si do të bëhet verifikimi i aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë vendit.
KQZ në mbledhjen e mbajtur të mërkurën bëri të ditur se periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës fillon më 10 korrik dhe do të përfundojë më 18 gusht 2021.
Anëtari i KQZ-së nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Florian Dushi, tha se verifikimi i votuesve jashtë vendit nuk është i nevojshëm të bëhet te të gjitha rastet, por vetëm te kategoritë që janë të dyshimta.
Ai shpjegoi se KQZ do të verifikojë vetëm 2% të aplikuesve të aprovuar me metodën e përzgjedhjes së rastësishme, teksa bëri të ditur se do të verifikohen edhe rastet kur i njëjti numër i telefonit përdoret në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm apo në rastet kur një adresë elektronike përdoret në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm. Sa i përket kësaj çështjeje, Dushi tha se vendimi ka qenë unanim.
“Kemi vendosur një çelës që është diku rreth 2 për qind sipas një rastësie për t’u verifikuar. Prandaj, rekomandojmë shfuqizimin e këtij vendimi dhe miratimin e Udhëzimit Administrativ 02/22021 për verifikimin e aplikacioneve për të votuar jashtë Kosovës.”
“Pra, të gjithë qytetarët e Republikës e Kosovës që aplikojnë si votues nga jashtë, nuk do t’i nënshtrohen një verifikimi që është zhvilluar në të kaluarën, përmes thirrjeve telefonike nga ana e sekretariatit, por thjesht këtij verifikimi do t’i nënshtrohen vetëm rastet e dyshimta dhe një çelësi prej 2 për qind që është përcaktuar në udhëzimin administrativ”, tha ai.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komision, Sami Kurteshi, ka kërkuar futjen e një neni që lejon aplikim ‘online’ të aplikuesve jashtë vendit, porse një gjë e tillë u tha se nuk parashihet me ligj.
“Propozimi im është që të futet edhe një nen në këtë udhëzim administrativ që e lejon aplikimin elektronik ose ‘online’ të aplikuesve jashtë vendit. Kjo bëhet duke e futur në mënyrë elektronike formularin që e kemi miratuar sot, janë dy formularë…”
“Ne mendojmë se ky është një mjet, mekanizëm, që e lehtëson punën deri në një përmasë që ne nuk mund ta marrim me mend. Asnjë nga aplikacionet nuk duhet të shtypet fizikisht, kjo e rrit sigurinë e aplikimit sepse të dhënat kryesore automatikisht përmes sistemit elektronik përputhen me listën e votuesve”, propozoi Kurteshi.
Kurse, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se futja e votimit elektronik në udhëzim administrativ është në kundërshtim me ligjin dhe kjo është arsyeja pse nuk duhet të ndodhë një gjë e tillë.
“Na mundemi me e shti në rregullore, por jemi në kundërshtim, pika C është në kundërshtim me këtë ligj. Tash, me dashtë me e fut aplikimin elektronik me një udhëzim administrativ që kërkon procedurën e brendshme. Nëse ne i ndryshojmë rregullat për aplikuesit jashtë, atëherë jemi duke ndërhyrë në rregullore, çka nuk na lejohet. Udhëzimi administrativ ka të bëjë me neve, nuk mundemi me e tejkalu këtë”, tha ai.
Kurteshi tha se në këtë rast edhe neni 2 i udhëzimit administrativ do të duhej të ishte i tepërt, pasi i bie se po shkelet ligji. Mirëpo sipas tij, kjo do të shërbente vetëm për lehtësimin e procedurave për aplikimin e votuesve jashtë vendit.
Ndërsa, drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, Ylli Buleshkaj, njoftoi se kanë vëzhguar Konventën e 3 korrikut të PDK-së dhe se nuk kanë hasë në ndonjë shkelje./Gazeta Sinjali/