Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza e ka quajtur projekt me shumë të panjohura nismën rajonale të mini-shengenit.
Hamza në foltore të Kuvendit tha se Kosova nuk mund të fitojë nga ky union ballkanik.
“Është një projekt me shumë të panjohura, unë kërkoj falje nëse nuk ia qëllojë krejt sepse nuk kemi diçka të shkruar. Ndoshta kryeministri e din, e ai pjesën më të madhe nuk është këtu. Është mirë me na njoftu për përmbajtjen e kësaj marrëveshje në mënyrë që mos me na leju neve me hamendësu dhe me thënë diçka që nuk qëndron”, tha ai.
Në interpelancën ku Hoti po raporton në Kuvend për mini-shengenin, Hamza akuzoi atë edhe për ndryshim të qëndrimeve për këtë nismë.
Hamza adresoi kritika edhe ndaj Hotit për ndryshim të qëndrimeve për mini-shengenin.
“Njeriu që sot është kryeministër, dhe ka nënshkruar marrjen përsipër të kësaj nisme disa muaj më parë e ka kundërshtuar, jo për qëllime të arsyetimit të pasojave dhe dëmeve që do t’i sillte një nismë e tillë në kontekstin ekonomik, por edhe reagimin e kishte bërë për qëllime politike. Zotëri kryeministër çka ndryshojë që ju nga sulmuesi i madh i këtij projekti keni ndryshuar mendje dhe jeni bërë promovuesi i tij”, tha ai. /Gazeta Sinjali/