image ​Arsimi në pandemi/ Rikthimi i nxënësve në shkolla vlerësohet si vendim i duhur

Arsim

​Arsimi në pandemi/ Rikthimi i nxënësve në shkolla vlerësohet si vendim i duhur

news image

Rikthimi me prezencë fizike dhe me orar të plotë në shkolla vlerësohet si vendim i drejtë dhe që ka ndikuar pozitivisht tek mësimdhënia e mësimnxënia.

Janë vetë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit e përfaqësuesit e institucioneve të arsimit që e vlerësojnë rikthimin si vendim të duhur.

Ndonëse fillimi i vitit shkollor 2021/2022 nisi me gati një muaj vonesë, akterët që janë të përfshirë në sistemin e arsimit thonë se ky vit është shumë më i suksesshëm sesa vitet shkollore paraprake, që për shkak të pandemisë COVID-19, mësimi u zhvillua sipas tre skenarëve të ndryshëm.

Nxënësit janë ata që thonë se ky gjysmëvjetor ka qenë shumë më i suksesshëm, pasi mësimi online ka vështirësitë e veta.

Diamant Begolli, nxënës i klasës së tetë në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, tha se me prezencë fizike arrijnë që të kuptojnë më mirë mësimet.

“Ky vit ka qenë shumë më i mirë sesa vitet e kaluara, sepse nuk kemi qenë online dhe nuk kemi qenë të ndarë nëpër grupe. Gjithashtu ka qenë shumë më mirë se mësimet i kemi kuptuar shumë më mirë, arsimtarët mund të na shpjegojnë më shumë gjëra dhe më shumë detaje. Është shumë më mirë se kur mësimi është mbajtur online, kur kemi pasur shumë probleme me rrjet, me sisteme”, thotë ai për kp.

Edhe nxënësja tjetër e kësaj shkolle, Bulina Osmani, shprehet se rikthimi në shkollë ka ndikuar që të ketë rezultate më të mirë në mësim.

“Ky gjysmëvjetor i kasës së tetë ka qenë shumë më i lehtë prej viteve të tjera, se kemi ardhur krejt bashkë edhe nuk jemi më online. Online e kemi pasur më vështirë se disave nuk na bënte interneti, ose nuk i kemi pasur pajisjet për t’u kyçur online. E kemi më lehtë me e pa arsimtarin duke shpjeguar.  Rezultatin e kam pas më të mirë kur kemi ardhur në shkollë, se e kemi pa duke shpjeguar arsimtarin dhe i kam kuptuar më mirë”, shprehet ajo.

Arsimtari i lëndës së matematikës në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, Nuhi Dema, u shpreh se rikthimi me prezencë fizike dhe orar të plotë ka ndikuar që nxënësit të kenë rezultate më të mira.

“Gjatë këtij viti shkollor po mundohemi që të rikuperojmë ato mangësitë që na kanë mbetur nga vitet e kaluara për shkak të pandemisë. Kështu që e kemi mirëpritur në mënyrë që t’i arrijmë rezultatet. Pra, këtë vit po mundohemi të punojmë në cilësi, ndërsa vitin e kaluar më shumë ka qenë sasi se sa cilësi, për shkak që kemi punuar me skenarë të ndryshëm. Këtë vit vërehet që kemi rezultate më të larta në mësimnxënie dhe në mësimdhënie, për shkak që orën e kemi të plotë 45 minutëshe”, thotë ai.

Gjysmëvjetorin e parë të suksesshëm e vlerëson edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj. Megjithatë, ai ka kritika sa i përket investimeve që shteti po bënë në arsim.

“Mësimdhënësit kanë pasur mundësi t’i kryejnë të gjitha obligimet dhe nxënësit kanë pasur mundësi shumë më tepër të jenë shumë aktivë në orë, sepse kanë qenë në klasë bashkë me mësuesit e tyre.  Mësimi ka pasur rrjedhë të mbarë, është punuar brenda mundësive që i kemi dhe kushteve, është punuar fatkeqësisht me shkumësa dhe shpuza në një pjesë të shkollave, interneti po mungon. Shteti duhet të jap shumë më tepër buxhet për ta përmirësuar, për ta përgatitur shkollën dhe arsimtarin në trajnime për shekullin 21. Ne po bëjmë një betejë të shekullit 21 po me kushte të shekullit të kaluar”, thotë Jasharaj.

Ndërkaq, Jeton Demi, kryetar i Këshillit të Prindërve të Prishtinës, deklaron se ka qenë pozitive rikthimi i fëmijëve me orar të plotë në shkolla, por që thotë se duhet pritur për të parë nëse do të ketë ndikim në suksesin e tyre.

“Është periudhë e shkurtër për ta vlerësuar ndikimin e përgjithshëm në suksesin e tyre, por është periudhë pozitive për kaq muaj sa kishim kohë që të ishin prezent plotësisht. Ngase vala e re e pritshme e kthimit të virusit dhe rritjes së numrit të rasteve mund të shkaktojë nevojën për reduktim të prezencës së fëmijëve nëpër shkolla andaj për aq sa ka pasur mundësi dhe kjo ka qenë pozitive dhe duhet t’i gëzohemi që këtë periudhë ishim prezent dhe ishim në kohë më të gjatë të nxënësve. Por, është pak për të vlerësuar që kjo mund të ketë ndikuar pozitivisht, por është shpresëdhënës së paku për këtë periudhë”, deklaron Demi.

Se mbajtja e mësimit me prezencë fizike ka ndikim më të mirë në mësimnxënie e thotë edhe Rinor Qehaja, nga Instituti EdGuard.

“Neve besojmë shumë dhe kjo tashmë është dëshmuar në cilindo institucion shkollor që rikthimi ka një ndikim për të mirë në proces të mësimnxënies. Prezenca fizike na është dëshmuar si e pazëvendësueshme me mësimin online dhe atë nga distanca, pra interaktiviteti mësimdhënës-nxënës është i domosdoshëm në proces. Ajo çka neve shpresojmë shumë është që kjo pandemi të jetë një mësim i mirë për institucionet tona që nevojitet një investim më i madh në të mësuarit digjital”, thotë Qehaja.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, potencon se është herët të flitet nëse do të ketë rezultate më të mira të nxënësve pas rikthimit në shkolla.

“Ka qenë jo vetëm si vendim i duhur por edhe i domosdoshëm. Në të gjitha raportet edhe të organizatave kredibile dhe ndërkombëtare është cekur dhe është evidentuar që mësimi nga distanca nuk i ka arritur efektet e nevojshme përkundër se ka qenë situata me pandeminë sfiduese dhe ka dhënë mundësi sa i përket përmirësimit të disa kompetencave, shkathtësive edhe tek nxënësit po edhe tek mësimdhënësit për shkak të organizimit të mësimit në distancë”, deklaron Nagavci.

Viti shkollor 2021/2022 ka nisur me 27 shtator për shkak të situatës me pandeminë. Gjysmëvjetori i parë ka përfunduar më 30 dhjetor, ndërsa gjysmëvjetori i dytë do të nisë më 10 janar, sot një javë./GazetaSinjali/