image DASh-i e konsideroi si problem por pse ka shumë martesa të hershme në Kosovë - Sinjali

DASh-i e konsideroi si problem por pse ka shumë martesa të hershme në Kosovë

news image

Gjendja e rëndë ekonomike, braktisja e shkollës dhe dhuna në familje janë disa nga arsyet kryesore për martesat e hershme në Kosovë, e që më së shumti i prek vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, thonë nga shoqëria civile në Kosovë.

Martesa e hershme në Kosovë është ngritur si shqetësim në raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2021, i publikuar nga Departamenti amerikan të Shtetit më 12 prill.

DASH-i citon një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), i cili thotë se 1 në 25 gra dhe 1 në 50 meshkuj të moshës 20-24 vjeç ishin martuar para moshës 18 vjeç në Kosovë.

Sipas këtij raporti të publikuar në vitin 2019-2020, përqindja është shumë më e lartë te femrat dhe meshkujt e kësaj moshe nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Në fakt, 1 në 3 femra dhe 1 në 10 meshkuj të moshës 20-24 vjeç të këtyre komuniteteve, ishin martuar para moshës 18 vjeçe.

Edhe në raportin e DASH-it shkaktar për këtë situatë vlerësohet të jetë varfëria dhe mungesa e edukimit.

Viktima të dhunës si pasojë e martesës së hershme

“Unë jam martuar 14-vjeçare. Jemi grindur e kemi bërë fjalë. Më ka larguar nga shtëpia në orën 6 të mëngjesit. I thashë që nuk kam ku të shkoj. Më ka lënduar shumë. Dhëmbët m’i ka thyer. Unë shtatzënë, më ka goditur në gjoks, më ka lënë pa frymë”.

Ky është një rrëfim i një vajze rome – tash 18 vjeçe – dhënë për REL në nëntor të vitit të kaluar.

Njëjtë si kjo ka edhe shumë raste të tjera, tha Gjyljeta Devolli, nga Organizata për të drejtat e grave dhe vajzave rome, ashkali dhe egjiptiane.

Devolli tha se informimi dhe vetëdijesimi i familjeve të këtyre komuniteteve lidhur me martesat e hershme është faktor kyç në parandalimin e kësaj dukurie.

Sipas saj, shumica e familjarëve, i detyrojnë vajzat e tyre të martohen me pretendimin se ato do të gjejnë një jetë më të mirë, mirëpo në fakt, siç shtoi ajo, në të shumtën e rasteve ndodh e kundërta.

“Ato vajza e lënë shkollimin, mbesin ekonomikisht të varura gjatë gjithë jetës, iu nënshtrohen martesave joligjore, lindin fëmijë në kohën kur ato janë vetë fëmijë dhe nuk kanë njohuri në edukimin e fëmijëve, pastaj shumë shpesh janë edhe viktima të dhunës në familje dhe formave tjera të abuzimit”, tha ajo.

Njëjtë mendon edhe Muhamet Arifi, drejtues i organizatës “Balkan Sunflowers”, që merret me edukimin dhe çështjet e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

Sipas një raporti që ka bërë organizata e tij e të publikuar në dhjetor të vitit 2020, rreth 10 për qind e grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, janë martuar nën moshën 18 vjeç në pesë vjetët e fundit.

Arifi tha se një prej arsyeve kryesore është papunësia.

Raporti përfshin 574 familje në katër komuna, Fushë Kosovë, Obiliq, Graçanicë dhe Shtime.

Nga të gjitha këto familje, sipas raportit, ka pasur 53 martesa nën moshën 18 vjeç në pesë vjetët e fundit. Janë 43 gra shtatzëna të moshës nën 18-vjeç.

Më shumë se 50 për qind e popullsisë në këto komuna, është nën moshën 18-vjeçare.

“Kemi shumë studentë që kanë përfunduar fakultetin dhe master dhe janë të papunë. Të tjerët që janë më të rinj e kanë parë që këta kanë studiuar dhe nuk janë punësuar. Martohen, bëjnë fëmijë dhe marrin social dhe jetojnë ashtu”, tha ai.

Problemi kryesor, edukimi i fëmijëve

Në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, thuhet se vetëm 64 për qind të fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjipitan, e ndjekin shkollën e mesme të ulët, ndërsa vetëm 31 për qind e ndjekin shkollën e mesme të lartë.

Nga Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, KOMF, thonë se edukimi është një prej faktorëve kryesorë pse ndodhin martesat e hershme. Fëmijët e këtyre komuniteteve kryesisht e ndjekin mësimin në gjuhen shqipe në Kosovë.

“Martesa para moshës 18-vjeç, për fat të keq, është një realitet i errët i shumë vajzave dhe kjo është shkelje e të drejtave të fëmijëve”, tha Bukureza Surdulli, hulumtuese në organizatën KOMF.

Sipas saj, shkaktar tjetër është edhe shëndetësia, pasi Kosova nuk ka një sistem të integruar të shërbimeve sociale, arsimore dhe shëndetësore, që do të ndihmonte që këto komunitete të edukoheshin edhe për shëndetin.

Kjo, sipas saj, mund të bëhet me vizita në shtëpi të vajzave të këtyre komuniteteve.

“Kur të bëhen këto vizita në shtëpi, normalisht një punëtor social apo një infermier do të mund t’i ndihmonte në pjesën edukimit, në mënyrë që të edukohen fëmijët se si duhet të sillen, si të mbrohen nga shtatzënia e hershme, sepse një prej shkaktarëve të martesave të hershme janë edhe shtatzënitë e hershme”, tha Surdulli.

Problemi i martesave të hershme synohet të rregullohet me draft-Kodin e ri Civil, të cilin e ka përgatitur Ministria e Drejtësisë në Kosovë.

Sipas këtij Kodi Civil, i cili ende pritet të miratohet, “askush nuk mund të lidhë martesë pa e mbushur moshën 18 vjet, duke ndaluar mundësinë e lidhjes së martesave të hershme nën moshën 18-vjeçare”.

Çka është martesa e hershme?

Sipas një raporti të vitit 2019 të Institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë, martesa e hershme apo martesa e fëmijëve, konsiderohet si problem global.

“Martesa e fëmijëve, gjithashtu e referuar si martesë e hershme, është çdo martesë ku të paktën njëra nga palët është nën moshën 18-vjeçare. Martesa e fëmijëve konsiderohet të jetë formë e martesës së detyruar”, thuhet në raport.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), ndërkohë vlerëson se që nga marsi i vitit 2018, në të gjithë botën, diku rreth 21 për qind e grave të reja janë martuar para moshës 18-vjeçare.

Po ashtu, sipas UNICEF-it, 650 milionë gra dhe vajza që janë gjallë sot, janë martuar para moshës 18-vjeçe.

Çdo vit, 12 milionë vajza në të gjithë botën, martohen para moshës 18-vjeçare dhe pritet që 150 milionë vajza të martohen para se t’i mbushin 18 vjet, deri në vitin 2030.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin