image Zyrtari serb thotë se për rifillimin e dialogut me Kosovën duhet të pritet përfundimi i zgjedhjeve në Serbi

Politikë

Zyrtari serb thotë se për rifillimin e dialogut me Kosovën duhet të pritet përfundimi i zgjedhjeve në Serbi

news image

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Velko Odalloviq, ka deklaruar se pas heqjes së reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës, janë krijuar kushtet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.


Mirëpo, sipas Odalloviq dinamika e këtij procesi do të dihet pasi i deleguari i BE-së, Mirosllav Lajçak të vizitojë Serbinë dhe Kosovën, transmeton Gazeta Sinjali.

Odalloviq ka thënë se në këtë dinamikë pritet të kenë ndikim edhe zgjedhjet në Serbi, prandaj duhet të pritet përfundimi i këtij procesi.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që ofensiva diplomatike të vazhdojë gjatë verës, por supozoj se fillimisht do të pritet të përfundojë procesi zgjedhor në Serbi. Jo pse ka ndonjë të papritur dhe të të panjohur, kur është fjala për mandatin e atij që i prin dialogut, presidentin Aleksandar Vuçiq, kjo nuk vihet në pyetje në asnjë rast. Kur Lajçak të vijë në Beograd e në Prishtinë do të dihet për dinamikën e këtij procesi”, ka deklaruar Odalloviq për Kosovo Online.

Ndërsa që të hartohet çfarëdo dinamike me rëndësi është që edhe Prishtina të ketë platformë të qartë dhe të ketë ekipin negociator, në mënyrë që të mund të vazhdojë dialogu.

Sipas tij, tash për tash i vetmi institucion që udhëheq dialogun është Komisioni Europian.

“Lajçak e ka mandatin dhe është punë e tij se kush dhe në çfarë mënyre do të përfshihet. Mesazhet që ishin të pranishme gjatë periudhës që e kemi lënë pas, se do të përfshihen SHBA-të, përkatësisht Richard Grenell, pastaj janë përmendur edhe Merkel e Macron, ka pasur shumë të interesuar. Janë të mirëseardhur të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë dhe të nxisin këtë proces, por tash për tash i vetmi që ka kapacitetin e plotë është BE-ja”, ka thënë Odalloviq. /Gazeta Sinjali/.