Përkundër faktit se Komuna e Vitisë ndodhet në karantinë për shkak të rrezikut të përhapjes së virusit Covid-19, Sh.Sh., që vjen nga ky qytet -Drejtor i departamentit për rregullimin e tregut të naftës në Ministrinë e Ekonomisë, vazhdon të dalë në punë.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Sh.Sh., (emër i njohur për redaksinë), për mësuar arsyen e daljes së tij në punë.
“Neve nuk na u ka thënë që mos me dalë, unë jam i detyruar me dalë, nese na thojnë mos me dalë unë nuk dalë”, tha ai për Gazetën Sinjali.
Sh.Sh., thotë se ka frikë se mund ta infektoj dikë, por, thekson se do të vazhdojë të dalë në punë deri në momentin kur ministrja Rozeta Hajdari nuk e kërkon një gjë të tillë.
“Unë jam pak më në periferi, por po frikësohem mos po e infektoj dikë, ku e di unë çka ndodh…S’na kanë thënë që mos me dalë, derisa s’na thotë një apel prej ministres që nese skeni mundesi mos hajdeni, ne duhet me dalë detyrimisht”, tha ai.
“E shoh si patjetër me dalë derisa s’më thuhet detyrimisht”, përfundoi ai.
Ndryshe prezenca e tij në vendin e punës bie ndesh me rekomandimet dhe kërkesat e IKSHPK-së, të cilat vetë ministrja Rozeta Hajdari u ka kërkuar qytetarëve t’i respektojnë.
Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 16 persona të infektuar me koronavirus, 7 nga ta janë nga Vitia. /Gazeta Sinjali/