image Zyrtari i Drenasit dënohet me 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për përvetësim në detyrë

Drejtësi

Zyrtari i Drenasit dënohet me 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për përvetësim në detyrë

news image

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë Gëzim Shishanin, udhëheqës i personelit në Komunën e Drenasit, lidhur me akuzën për përvetësim në detyrë.

Ndërsa, i njëjti është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi që nuk është provuar se i njëjti ka kryer këtë vepër penale.

Aktgjykimi ndaj Shishanit është shpallur të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Syla.

Sipas gjykatësit Syla, dënimi me 6 muaj burg me pëlqimin e të akuzuarit mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.

I akuzuari është obliguar që t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale dhe atë shumën prej 450 euro për ekspertizën financiare, 200 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 50 euro për fondin e viktimave të krimit.

Gjithashtu, i akuzuari është obliguar që të dëmtuarës Komuna e Obiliqit t’ia paguajë dëmin, ndërsa për pjesën tjetër si në kërkesë pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Pala e pakënaqur, ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Aktakuza e ngritur më 27 shtator të 2018-ës, e ngarkonte Gëzim Shishanin se në cilësinë e udhëheqësit të personelit në Komunën e Drenasit, prej muajit nëntor të vitit 2008 në vazhdimësi deri në muajin korrik 2018, kishe përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se Shishani kishte realizuar pagën me koeficientin e pagës 11.3, në vend që të realizonte pagën me koeficient 9.5, ashtu që vetes i kishte sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumën prej 13 mijë e 454 euro e 94 centë.

Sipas prokurorisë, ai nuk e kishte zbatuar vendimin e kryetarit të Komunës së Drenasit, me të cilin vendim Shishanit i ishte ndryshuar koeficienti i pagës nga 11.3 në 9.5.

Për këto veprime, Shishani ngarkohej se kishte përfituar 13 mijë e 454 euro e 94 centë, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Drenasit, raporton Betimi për Drejtësi.

Shishani për këto veprime ngarkohej me veprën penale “përvetësim në detyrë”, nga neni 425, par. 2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vjet. Si dhe veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1, të Kodit Penal, vepër e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/