Një person i moshës 40 vjeçare është arrestuar në Prizren nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, merr vesh Gazeta Sinjali nga burimet në Prokurorinë Themelore në Prizren.
I dyshuari me inicialet A. H, emër i njohur për redaksinë, dyshohet se në muajin mars, duke keqpërdorur detyrën dhe autoritetin zyrtar ka falsifikuar dokumetacionin e të dëmtuares A. U dhe ka marr një kredi për vete në Mikrobankën KGMABMCF (Kosovo Gramen Misione Arco Baleno Micro Credit Fond) me seli në Prizren.
Ai ka falsifikuar të dhënat përfshirë nënshkrimin e të dëmtuares dhe ka arritur të marrë kredi bankare në emër të saj, në shumë prej dy mijë eurosh.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, personi i dyshuar e ka bërë këtë vepër duke qenë në pozitën analist i kredive në bankën në fjalë.
Pas veprimeve hetimore, i dyshuari ka pranuar se ka falsifikuar dokumentacionin lidhur me këtë kredi. Me urdhër të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë. /Gazeta Sinjali/