image Zyrtarët ukrainas vizitojnë rajonet lindore dhe përballen me granatime

Botë

Zyrtarët ukrainas vizitojnë rajonet lindore dhe përballen me granatime

news image

Zyrtarë të lartë ukrainas, përfshirë edhe ministrin e Brendshëm, Denys Monastyrskiy, ishin shumë pranë vendit ku ndodhën granatimet, gjatë një vizite të tyre në frontin e luftës, ku forcat qeveritare po luftojnë me separatistët në lindje të Ukrainës.

Zyrtarët arritën që të strehoheshin para se granatimet të godisnin zonën. Një gazetar i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, që përcolli vizitën e zyrtarëve, tha se granatat ranë 300 metra nga lokacioni ku gjendeshin zyrtarët dhe gazetarët.

Më herët gjatë ditës, liderët e separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës kanë urdhëruar mobilizimin e plotë ushtarak, teksa është rritur frika për pushtimin e Ukrainës.

Denis Pushilin dhe Leonid Pasechnik, liderët e rajoneve të okupuara të Donetskut dhe Luhanskut, kanë lëshuar deklarata të ndara më 19 shkurt, përmes së cilave kanë njoftuar për mobilizimin e plotë të trupave dhe u kanë bërë thirrje rezervistëve që të shkojnë në zyrat ushtarake dhe të lajmërohen se janë të gatshëm.

Kjo lëvizje vjen në kohën e rritjes së dhunës në ditët e fundit përgjatë linjës së kontaktit ndërmjet forcave ukrainase dhe separatistëve në rajon, gjë që ka rritur frikën në Perëndim se Moska mund ta përdorë këtë dhunë si pretekst për ta sulmuar Ukrainën.

Ushtria ukrainase tha se nga granatimet më 19 shkurt janë vrarë dy ushtarë në pjesën e Donetskut që kontrollohet nga forcat qeveritare dhe se forcat separatiste kishin vendosur artileri në zonat e banuara, duke tentuar që të provokojnë forcat qeveritare.

“Si rezultat i sulmeve me granata, dy ushtarë ukrainas janë vrarë”, tha ushtria.

Kanë qenë pothuajse 600 shkelje të armëpushimit në lindje të Ukrainës në 24 orët e fundit, përfshirë 300 shpërthime, tha ekipi monitorues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) më 18 shkurt.

/GazetaSinjali/