image Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës vozisin “Land Roverat” e “Bechtel-Enkas”

Kosovë

Skandal/ Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës vozisin “Land Roverat” e “Bechtel-Enkas”

news image

Tri vetura të tipit “Land Rover” dhe dy të tjera “Ford Mondeo”, konsorciumi “Bechtel-Enka” ua kishte vënë në “funksion” zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët ishin pjesë e njësisë implementuese të autostradës “Arbën Xhaferi” (Prishtinë – Han i Elezit).

Pesë zyrtarët shtetërorë, me këto vetura, pronare e të cilave është “Bechtel-Enka”, e kanë “monitoruar” punën e ndërtuesit të autostradës, shkruan sot Koha Ditore. Përveçse i shfrytëzojnë këto vetura, gazeta është informuar se edhe karburantet ua mbulon po konsorciumi amerikano-turk, që është përzgjedhur për realizimin e këtij projekti rrugor.

Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët kanë qenë përgjegjës për të mbikëqyrur zbatimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit ende vazhdojnë t’i vozisin këto vetura. Të kontaktuar nga gazeta, këta zyrtarë kanë thënë se një gjë e tillë është paraparë në kontratën me “Bechtel-Enkan”.

“Land Rover” është lloji i veturës të cilën e ka në përdorim edhe drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Eset Berisha. Berisha qe afro një vit nuk është i angazhuar në Ministrinë e Infrastrukturës. Para se të bëhej drejtor në Aviacionin Civil, ai ishte këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Në cilësinë e këshilltarit të Lekajt, Berisha përmendet si person që ka qenë në komunikim me kompaninë “Hill International”. Kjo kompani kishte rekomanduar që pagesat në emër të vonesave në vlerë të 53 milionë eurove për “Bechtel-Enkan” të mos paguhen për shkak se nuk ishte arsyetuar se si kjo vonesë e ka shkaktuar dëmin dhjetëra milionësh. Ky raport ishte “fshehur” nga Komiteti Ndërministror.