Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës u është drejtuar institucioneve të vendit me disa kërkesa lidhur me kushtet e punës. Sigurimi shëndetësor, kompensim për lëndimet në vendin e punës, kompensim për punën jashtë orarit të punës, definim i kompetencave menaxhuese, janë kërkesat e kësaj sindikate.
Megjithatë këto kërkesa sipas kryetarit të Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës Muharrem Beka, nuk po gjejnë mbështetje nga institucionet e vendit.
Beka thotë se kërkesat e tyre në vazhdimësi janë injoruar nga institucionet e Kosovës, e që pas letrës së të premtes ai tha se përsëri do t’iu dërgojnë kërkesat po të njëjtave institucione.
“Çështja e statusit juridik të pazgjidhur, definimi i kompetencave menaxhuese në mes të komunës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Këtu është një absurd, ne jemi me ligj staf i Ministrisë së Punëve të Brendshme, pagat i marrim nga komuna, prandaj nuk dihet punëdhënësi ynë. Kur i parashtron kërkesat ndaj secilit e hedhin fajin tek njëra-tjetra në mënyrë rotative, askush nuk merr obligimet që t’i kryejnë përgjegjësitë që i kanë si punëdhënës”, thotë ai.
Ai thotë se zjarrfikësit kanë mungesë të pajisjeve personale, e që sipas tij ndikon që ata të përballen me vështirësi të mëdha gjatë punës së përditshme të tyre.
Gjendja në të cilën ndodhen zjarrfikësit, Beka thotë se duhet të ndryshohet pasi që nga ta varen edhe shumë probleme të qytetarëve. Ai deklaron se institucionet nuk janë duke e kuptuar rolin dhe rëndësinë e zjarrfikësve, prandaj edhe janë lënë në këtë gjendje.
“Aq shumë kanë neglizhuar edhe aq shumë është treguar papërgjegjësi, saqë zjarrfikësit me indinjatë dhe shumë të zhgënjyer e kanë pritur edhe këtë herë këtë heshtje të tyre që në vazhdimësi janë mësuar vetëm të heshtin. Asnjëherë nuk treguan gatishmëri që të analizojnë së pari çështjen e shërbimit të zjarrfikësve dhe të fillojnë gradualisht me zgjidhjen e problemeve të krijuara në këtë shërbim”, deklaroi ai.
Kryesindikalisti Beka thotë se zjarrfikësit nuk e kanë vendin në rrugë, por që thotë se nuk po u lihet zgjidhje tjetër.
Ai potencon se zjarrfikësit kanë qenë në gjendje të rëndë edhe gjatë kohës së pandemisë, ku thotë se nuk kanë qenë mirë të furnizuar me pajisje mbrojtëse për COVID-19./Gazeta Sinjali/