Qindra hektarë pyje janë djegur si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë Jugun e Shqipërisë, por situata më problematike paraqitet në Tragjas dhe Karaburun ku flakët janë riaktivizuar duke djegur sipërfaqe të tëra. Një tjetër vatër zjarri u aktivizua gjatë mbrëmjes së djeshme në Malin e Milesë.
Aktualisht sipërfaqe të tëra janë duke u djegur në pika të ndryshme, në Ksamil rrezikohet edhe zona e banuar, ndërsa në Karaburun zjarri po i afrohet parkut të Llogarasë.
Dy grupe punonjësish të zjarrfikësve të Vlorës janë nisur drejt vatrave të zjarrit në Gadishullin e Karaburunit dhe në fshatin Tragjas për të shuar flakët.
Lidhur me zjarret e ditëve të fundit Kontrolli i Lartë i Shtetit me urdhër të kreut të saj Arben Shehu, ka nisur një kontroll mbi të gjitha hallkat e strukturave të reagimit kundër zjarrit. Kontrolli do të verifikojë menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve, duke nisur që përdorimi i pajisjeve si dhe anën organizative. /GazetaSinjali/