image Vdiqën tragjikisht në spitalin e Tetovës, flasin familjarët: Janë fshehur provat që mos të zbulohet e vërteta

Rajon

Vdiqën tragjikisht në spitalin e Tetovës, flasin familjarët: Janë fshehur provat që mos të zbulohet e vërteta

news image

Familjarët e viktimave të tragjedisë së spitalin modular të Tetovës protestuan të premten para ndërtesës së Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit Lubomir Jovevski.

Në shtator 2021, 14 njerëz humbën jetën nga një zjarri që kishte shpërthyer në spitalin modular në Tetovë, ku ata po trajtoheshin për COVID-19.

Dy drejtorët e spitalit modular u dënuan nga një gjykatë në Tetovë me nga një vit e gjysmë burgim me kusht për këtë rast.

Protestuesit thanë të premten se gjykimi për këtë rast lë vend për dyshime se hetimet për shkaqet e zjarrit “janë fshehur me qëllim që e vërteta të mos zbulohet”.

Zjarri ishte shkaktuar nga një kabllo elektrike në orët e vona të natës së 8 shtatorit 2021.

“Ne familjarët urgjentisht kërkojmë që të hapet procedurë e re gjyqësore për shkaqet e zjarrit, që të rishqyrtohet të gjitha vendimet nga gjykimi paraprak në gjykatën e Tetovës”, tha një familjar i pacienti të vdekur në spitalin e Tetovës.

Drejtori i spitalit, Florin Besimi, dhe ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, u shpallën fajtorë për shkak të mosvendosjes së shenjave të informimit në hapësirat e objektit spitalor dhe të pajisjeve për shuarjen e zjarrit.

Por, një hulumtim i Rrjetit-Laboratori për Gazetari Hulumtuese – IRL, i titulluar “Vrasje në Tetovë” gjeti se spitalet modulare për COVID-19, përfshirë atë të djegur në Tetovë, ishin ndërtuar “në mënyrë të papërshtatshme duke anashkaluar shumë procedura ligjore.”

Organizatori i protestës tha se procesi gjyqësor “ka dëshmuar se organet e drejtësisë janë mbrojtësit më të mëdhenj të krimit të organizuar dhe po e mbajnë peng shtetin, andaj edhe kërkojmë nga qeveria shkarkimin e kreut të prokurorisë, dhe së bashku me gjykatësit dhe prokurorët e tjerë të përgjigjen penalisht”.

“Njerëzit janë të revoltuar dhe do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësinë. Kërkojnë të jetojnë në një shtet normal që është funksional dhe që ka siguri për të gjithë. Ne këtë shtet për momentin ne nuk ndihemi të sigurt”, ka deklaruar aktivistja Elmedina Abdullahu.

Një tjetër protestues tha se në Maqedoninë e Veriut vepron gjyqësi “selektive”, e cila, sipas tij, vjen në shprehje “në veçanti kur bëhet fjalë për njerëz të pushtetit”.

“Gjyqësia dhe së bashku me politikën janë të vetmet që këtu nuk funksionojnë pasi janë të lidhura me krimin dhe korrupsionin. Pa u përmirësuar gjendja në gjyqësor ne nuk do të kemi shtet. Këtë të gjithë duhet ta dinë. Ne mund të protestojnë çdo ditë, sot, nesër e kështu me radhë, por nëse të gjithë ne nuk çohemi në këmbë këtu nuk do të ketë as drejtësi e as shtet”, u shpreh një tjetër protestues.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, që kishte shkaktuar reagime e protesta të shumta, më 10 shtator 2021 kishte dhënë dorëheqje ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, por dorëheqja e tij nuk ishte pranuar nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev. /REL

/GazetaSinjali/