Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka njoftuar rreth situatës së zjarreve në vend.
Kjo ministri ka theksuar se një pjesë e madhe e vatrave janë vënë nën kontroll, kurse situata më problematike është në majën e Rrunës, në Kukës, ku flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit.
Njoftimi i plotë
Pas një pune të palodhur dhe të pandërprerë të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe punonjësve të shërbimeve zjarrfikëse e pushtetit vendor janë arritur të izolohen disa nga vatrat e zjarrit në vend, por ende mbeten aktive disa të tjera.
Në Karaburun puna po vijon për shuarjen totale të flakëve, edhe pse është mbyllur pjesa më e madhe. Momentalisht nuk ka asnjë rrezik.
Në Gjirokastër situata është stabilizuar. Mbetet aktive një vatër në fshatin Saraqinisht, e cila nuk paraqet rrezik.
Edhe zjarri në fshatin Gadurovë, në Mallakastër është nën kontroll dhe pa rrezikshmëri.
Zjarri në fshatin Cukal, në Shkodër vijon të jetë aktiv, por pa rreziqe të evidentuara.
Në malin e Shëngjinit, në Lezhë vatra është izoluar.
Zjarri në fshatin Kalis, në Kukës po mbahet nën kontroll, ndërsa është eliminuar rreziku për banesat.
Ndërkaq problematike situata e zjarrit vijon të jetë në Majën e Rrunës, në Kukës. Flakët kanë përfshirë pjesën më të madhe të malit, por situata po mbahet nën kontroll për të mos rrezikuar banesa.