Në disa rajone të Kosovës, pjesët malore dhe fushore janë përfshirë nga zjarret, ndërkohë që po bëhet thirrje për kujdes më të madh në këtë kohë. Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të zjarrvënies që janë raportuar në 24 orët e fundit, nëpër vende të ndryshme.
Në rajonin e Prishtinës janë raportuar tri raste, njëri në Drenas, në Lipjan dhe në Graçanicë.
“Fsh. Sankoc, Gllogoc 04.08.2021-13:19. Në rrethana të panjohura ka shpërthyer zjarri në pronën e ankuesit ku janë djegur hamullore dhe pylli në hapësirë prej rreth tre hektarëve. Njësitet e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin, nuk raportohet për të lënduar.
Fsh. Brus, Lipjan 04.08.2021-12:10. Në rrethana të panjohura ka shpërthyer zjarri në malet e fshatit, ndërsa njësitet e zjarrfikësve të Lipjanit, Llapnasellës e Novobërdës së bashku edhe me njësitet policore kanë arritur që të lokalizojnë zjarrin. Sipas rojës së pyllit janë dëmtuar rreth 20 –hektarë pronë shtetërore dhe 5-hektarë male pronë private. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa rasti është duke u hetuar.
Gushtericë e epërme ,Graqanicë 04.08.2021 -17:10 Për shkaqe ende të pa njohura është përfshirë nga zjarri një objekti ndihmës pronë e ankuesit mashkull kosovar. Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin.”
Në njoftimin e Policisë thuhet se në rajonin e Gjilanit janë raportuar tri raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Në Viti dyshohet se janë përfshirë nga zjarri disa ara të papunuara, në Gjilan është arrestuar një person i cili i kishte ndezur zjarr në oborrin e depos së tij, si dhe rasti i fundit ku një i dyshuar ua kishte vënë zjarrin disa barishteve.
“Fsh. Ramjan, Viti 04.08.2021-10:30. Ankuesi kosovar ka njoftuar se disa ara të papunuara janë përfshirë nga zjarri. Njësitet e zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar dhe të dyshuar.
Rr. Nato-99, Gjilan 04.08.2021-18:50. Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që i njëjti në oborrin e depos së tij kishte ndezur një zjarr për t’i djegur disa mbeturina të depos, por pasi që zjarri kishte filluar të merrte përmasa, me ndihmën e qytetarëve dhe njësitet policore, kishin arritur ta lokalizojnë zjarrin. Në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Fsh. Shurdhan ,Gjilan 04.08.2021-19:30 I dyshuari mashkull kosovar u kishte vënë zjarrin disa barishteve në një hapësirë prej rreth 2 ari ,të cilat ndodheshin në pronën e tije. I dyshuari ka arrit që ta lokalizojë vet zjarrin.”
Ndërsa në rajonin e Ferizajt, në fshatin Cërnillë, Policia ka njoftuar se janë djegur 50 hektarë të hamulloreve të grurit, si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer.
“Fsh. Cernillë, Ferizaj 03.08.2021 – 18:30. Si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe të pa njohura deri më tani janë djegur rreth 50 hektarë të hamulloreve të grurit. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kalë lokalizuar zjarrin. Të lënduar nuk ka.
Fsh. Softaj, Ferizaj 04.08.2021 – 15:15. Si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer për shkaqe të pa njohura deri më tani janë djegur rreth 30 hektarë të hamulloreve të grurit. Zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe e kalë lokalizuar zjarrin. Të lënduar nuk ka.”
Edhe në Suharekë, në fshatin Peqan dyshohet se si pasojë e prishjes së një përçuesi elektrik ka shpërthyer një zjarr ku është përhap në kodrinat e fshatit Peqan dhe Sllapuzhan. Sipas Policisë njësitet e zjarrfikësve janë duke tentuar që ta shuajnë zjarrin.
Kurse në rajonin e Gjakovës, Policia ka njoftuar për rastin e djegies së një shtëpie, për të cilën Sinjali raportoi dje.
“Fsh. Qerim, Gjakovë 04.08.2021 – 06:00. Ankuesi kosovar ka raportuar se për shkaqe ende të pa njohura është përfshirë nga zjarri shtëpia e tij. Njësitë relevante policore si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, zjarri është lokalizuar. Përveç dëmeve materiale vlera e të cilave nuk dihet, të lënduar nuk ka pasur. Në lidhje me rastin është informuar prokurori i shtetit.”
Një incident zjarri është raportuar edhe në fshatin Lladroc të Malishevës, ku sipas Policisë, në rrethana të panjohura ka shpërthyer zjarri në pronën e ankuesit, ku janë djegur dy parcela me vreshta dhe pylli në hapësirë prej rreth 5 hektarëve.
Rast tjetër i zjarrvënies ka ndodhur në Skënderaj, ku një person ka raportuar se prona e tij hamullore dhe fusha janë përfshirë nga zjarri.
“Fsh. Abri e Poshtme, Skenderaj 04.08.2021-12:00. Ankuesi kosovar ka njoftuar se prona e tij hamullore dhe fusha është përfshirë nga zjarri. Njësitet e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar dhe të dyshuar.”
Kujtojmë se dje Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një 32-vjeçar të dyshuar për kryerjen e veprës penale, zjarrvënie. I dyshuari me inicialet S.H, është shtetas i Kosovës. Sipas Policisë, zjarri ishte ndezur në fshatin Cërnushë të Mitrovicës.