image Zgjedhjet në Podujevë - KQZ ndan 350 mijë euro për partitë politike

Kosovë

Vendim/ Zgjedhjet në Podujevë – KQZ ndan 350 mijë euro për partitë politike

news image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 350 mijë euro për mbështetjen e partive politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.

Kjo shumë është ndarë sipas numrit të ulëseve në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu janë akredituar edhe 602 vëzhgues, pasi 8 të tjerë janë akredituar më herët.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, Yll Buleshkaj, tha se këtë javë janë paraqitur 602 vëzhgues nga dy organizata joqeveritare (OJQ) dhe organizata ndërkombëtare.

Ai ka bërë edhe një përmbledhje të shkurtër për aktivitetet e sekretariatit.

“Fletëvotimet janë shtypur në bazë të kritereve që ka miratuar KQZ-ja. Qytetarët duhet të informohen si të plotësohet fletëvotimi. Po shtojmë masa të sigurisë për shkak të gabimeve në formularë”, tha ai.

Ndryshe zgjedhjet për kryetar komune në Podujevë do të mbahen më 15 mars. Në këto zgjedhje do të garojnë tri kandidatë nga tri subjekte politike; Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kujtojmë se kryetar paraprak i kësaj komune ka qenë Agim Veliu nga LDK, por pasi u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme, komuna e Podujevës mbeti pa udhëheqës./GazetaSinjali/