image Zgjedhja e presidentit, Rama: Do të kemi durim, s’kemi një emër

Shqipëri

Zgjedhja e presidentit, Rama: Do të kemi durim, s’kemi një emër

news image

Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm shqiptar është djegur tashmë, pa shprehur asnjë kandidat.

Gjasat janë që diçka e tillë të ndodhë edhe në dy raundet e ardhshme dhe këtë e pohon edhe vetë kryeministri Edi Rama.

“Dihet që nuk kemi 84 votat e duhura për të kaluar në raundin e parë, të dytë dhe të tretë, dhe nuk më duket se ka ndonjë qartësi nga ana e palëve të tjera, deri më tani, për t’u përfshirë në proces”, deklaroi Rama duke u larguar nga Kuvendi.

Por a e ka një emër Partia Socialiste?

Edhe Rama përgjigjet me një “jo”.

“Ne nuk po dimë më as kë kemi në anën tjetër, ka lloj-lloj copash dhe cikash. Kemi kaluar në këtë proces dy herë kur ishim në opozitë, kur drejtoja PS. Ne atëherë jemi ulur në tryezë, pavarësisht se shumica zgjodhi një kandidat tjetër që vinte nga radhët e PD-së”.

Rama thotë se për procesin e zgjedhjes së presidentit mazhoranca do të presë “me durim po pati ndonjë dëshirë nga ana tjetër, por nuk do të mbetemi pa ezauruar mandatin që na e jep Kushtetuta”.

“Është për të ardhur keq se mund të ishte një proces më i kulturuar dhe më i harmonizuar në mes të një ballafaqimi dhe shkëmbimi idesh, veçanërisht ne një moment si ky ku nuk kemi nevoje të shtojmë hendeqe të reja përtej atyre që kemi”, tha ai, shkruan A2 CNN.

Për sa i përket kushtit të evidentuar që përjashton nga kandidimi profilet politike, Rama thotë se nuk kanë kushtëzuar askënd dhe nuk kanë thënë që kandidati nuk duhet të jetë nga grupi parlamentar.

/GazetaSinjali/