image Zëvendësi i Nagavcit tregon çfarë do të bëjnë për shaminë në shkolla

Arsim

Zëvendësi i Nagavcit tregon çfarë do të bëjnë për shaminë në shkolla

news image

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) aktualisht nuk ka në plan që rishikojë udhëzimin administrativ, i cili ndër të tjera e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, ka thënë kështu zëvendësministri Dukagjin Pupovci. Megjithatë, ai ka shtuar se të gjithë fëmijëve duhet t’u mundësohet vijimi i mësimit në shkolla.

Në konferencën e rregullt javore për media derisa është pyetur nëse MAShT e ka në plan të ndryshojë Udhëzimin administrativ, Pupovci e ka mohuar një gjë të tillë.

“Ne nuk dëshirojmë të dërgojmë tani mesazhe të gabuara në opinion në atë formën që shkolla jonë nuk është laike, sepse shkolla e Kosovës, shkolla publike në Kosovë është shkollë laike dhe kjo duhet të respektohet ndërkaq duhet të respektohen të drejtat e të gjithë fëmijëve që të vijojnë shkollimin dhe po veprohet në atë drejtim. Ka raste ndonjëherë të shkarjeve te them ashtu kur ndodhin situata të cilat janë të padëshiruara për ne por mendoj që me një reagim të shpejtë ato zgjidhen përndryshe nuk kemi ndonjë plan që tani për tani ta rishikojmë të udhëzim”, ka thënë zëvendësministri i Arsimit.

Ai ka thënë që të gjithë fëmijëve duhet t’u mundësohet shkuarja në shkollë.

“Këto udhëzime janë të pranishme prej vitit 2008, ju po referoheni versionit të fundit të vitit 2014 ku njëra ndër ndalesat, krahas telefonit celular, veshjeve ekstravagante e kështu me radhë është edhe bartja e uniformës fetare, do të thotë thjeshtë është çështja të interpretimi i asaj që ne e konsiderojmë si uniformë fetare. Tani është një pikëpyetje e madhe se në çfarë mase është shamia pjesë e uniformës fetare, por një gjë e kemi qëndrim kategorik që të gjithë fëmijëve duhet t’u mundësohet shkuarja në shkollë dhe ashtu është duke u vepruar”, ka thënë ai, raporton KP.

Ndër të tjera, zëvendësministri i Arsimit ka thënë se më 7 prill janë shpallur rezultat preliminare te përzgjedhjeve të teksteve shkollore të klasave të katërta dhe nënta për vitin e ardhshëm shkollor.

Tani sipas tij është periudha e ankesave para se ato të aprovohen,

Ai ka thënë se në proces të vlerësimit kanë hyrë 77 dorëshkrime në gjuhën shqipe, tri në gjuhën turke dhe pesë në gjuhën boshnjake.

Pupovci ka folur edhe për punët e ministrisë gjatë dy javëve të fundit ku ndër të tjera ka thënë se arsimi dhe aftësimi profesional në Kosovë ka përfituar një shumë prej 2 milion euro nga Fondi i Sfidës i Kosovës i cili është një projekt rajonal.

Ai ka thënë se me partnerët zhvillimor janë ndarë grante për katër koncorsiume që kanë arritur të përfitojnë shumën prej 2 milionë euro.

Pupovci ka shtuar se grantet janë për investime që bëhen në pajisje, në infrastrukturë e trajnime në institucione të arsimit dhe aftësimit profesional dhe burojnë nga Fondi i Sfidës rajonale ku Kosova i ka fituar 3 milion euro deri tani.

Gjithashtu ai ka bërë të ditur se janë nënshkruar 16 kontrata pune me nxënësit e Qendrës së Kompetencës në Skenderaj për zbatimin e mësimit dual në një kompani duke shtuar se kjo është parakusht për fillimin mësimit dual nga viti i ardhshëm shkollor.

/GazetaSinjali/