Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nuk do të marrë pjesë në samitin e grupit të 20 ekonomive më të mëdha (G20), nëse lideri rus, Vladimir Putin, merr pjesë në këtë ngjarje që do të mbahet në Indonezi.
Zelensky i bëri këto deklarata më 3 nëntor në Kiev, pasi u takua me presidentin e Greqisë. Lideri ukrainas tha se është ftuar që të marrë pjesë nga presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, në samitin që mbahet më 15 dhe 16 nëntor.
“Qëndrimi im personal dhe qëndrimi i Ukrainës është që nëse lideri i Federatës Ruse merr pjesë, atëherë Ukraina nuk do të marrë pjesë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, tha ai, raporton REL.
Më herët gjatë 3 nëntorit, Zelensky tha se ka biseduar me Widodon për përgatitjet për samitin e G20-s, por edhe për marrëveshjen për eksportin e drithërave nga portet ukrainase në Detin e Zi.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Lufta, që ka hyrë në muajin e nëntë, ka lënë të vrarë mijëra persona, miliona të tjerë janë zhvendosur dhe janë shkatërruar qytete dhe vendbanime. Moska e cilëson pushtimin e Ukrainës si “operacion të posaçëm ushtarak”.