image Zelensky: Nuk ka arsye për t’i besuar Rusisë, ka grumbullim të trupave për sulme të reja në Donbas

Botë

Zelensky: Nuk ka arsye për t’i besuar Rusisë, ka grumbullim të trupave për sulme të reja në Donbas

news image

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij po përgatitet për një ofensivë të re të ushtrisë ruse, në pjesën lindore.

“Ka një grumbullim të trupave ruse për sulme të reja në Donbas. Dhe, ne po përgatitemi për këtë”, tha Zelensky në një video-adresim të publikuar në orët e para të së enjtes.

Ai shprehu skepticizëm ndaj deklaratave të Rusisë se do t’i zvogëlojë operacionet ushtarake rreth kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, dhe qytetit tjetër, Çernihiv.

“Ne nuk i besojmë askujt”, tha Zelensky.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye për t’iu besuar pohimeve të Rusisë, pasi forcat ruse “kanë vazhduar të sulmojnë Kievin dhe Çernihivin” një ditë pasi kanë premtuar se do të zvogëlojnë aktivitetin ushtarak përreth këtyre qyteteve.

Rusia i ka dhënë këto zotime gjatë negociatave për paqe me Ukrainën, më 29 mars, në Stamboll.

Perëndimi po ashtu ka thënë se zotimet ruse duhen parë me kujdes.

Zelensky përsëriti se forcat ukrainase do të vazhdojnë të mbrojnë territorin e tyre.

“Ne nuk do të heqim dorë nga asgjë. Dhe, ne do të luftojmë për çdo metër të tokës sonë, për çdo person”, tha ai.

/GazetaSinjali/