Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga shtetet perëndimore që ta armatosin Ukrainën me armët më të rënda që kanë në dispozicion për të ju kundërvënë forcave ruse.
Në një video-mesazh që ka publikuar në rrjetet sociale, Zelensky ka listuar disa nga armët e kalibrit të rëndë që ai ka kërkuar nga perëndimi.
Ai ka përmendur sistemet raketore, avionët luftarakë, tanket, mjete luftarake të rënda sulmuese, sisteme ajrore si armë të rënda me të cilat duhet të pajiset Ukraina për të mbrojtur miliona ukrainas nga ushtria ruse dhe miliona evropianë nga Rusia.
“Pa armatim shtesë, kjo luftë do të bëhet një gjakderdhje e pafund, duke përhapur mjerim, vuajtje dhe shkatërrim. Mariupol, Bucha, Kramatorsk – lista do të vazhdojë. Askush nuk do ta ndalë Rusinë përveç Ukrainës me armë të rënda”, ka thënë Zelensky.