image Zëdhënësi i PDK-së: Duket që Kurti pajtohet me Gashin

Kosovë

Reagim/ Zëdhënësi i PDK-së: Duket që Kurti pajtohet me Gashin

news image

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka reaguar pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është distancuar ende nga deklaratat e tani ish-këshilltarit të tij, Shkëlzen Gashi, lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se Kurti duhet të shkarkonte dhe jo të lironte nga detyra e këshilltarit të tij, Gashin. Pasi, sipas tij, lirimi dhe jo shkarkimi është amnestim politik që Kurti i bëri Gashit.

“Gjërat që nuk i bëri e që nuk i tha e që duhej t’i thoshte e t’i bënte Albin Kurti kur e “liroi nga detyra” Shkëlzen Gashin: Ta shkarkonte këshilltarin e tij, pasi që ekziston një dallim thelbësor në mes të shkarkimit dhe lirimit nga detyra. Z. Gashi meritonte shkarkimin, e jo amnistimin politik që ia bëri Albini përmes lirimit nga detyra. Lëvdatat e Kryeministrit për mendim kritik dhe punë të mirë janë thjeshtë për turp në këto rrethana”, ka shkruar Bytyçi në Facebook.

Zëdhënësi i PDK-së ka thënë se kryeministri në detyrë do të duhej t’i kërkonte falje popullit të Kosovës, që gjatë mandatit të tij si kryeministër, një zyrtar i lartë nga kabineti i tij, fajësoi UÇK-në për krime lufte.

“Të distancohej nga deklarata e z. Gashi, gjë të cilën nuk e bëri me asnjë fjalë në deklaratën e tij të publikuar në faqen e tij në fb. Të qartësojë pozicionin e tij publik karshi kësaj teme, pasi që në mungesë të kërkim faljes dhe distancimit, duket që z. Kurti pajtohet me z. Gashi”, ka shkruar ai.

Sipas tij, deklarime të tilla për UÇK-në dhe luftën e UÇK-së të përafërta me ato të Serbisë i kanë bërë edhe shumë zyrtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje./Gazeta Sinjali/