Demir Kelmendi dyshohet se tentoi ta vras me kallashnikov të riun Blerim Muslijaj, mbrëmë në Gjakovë.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka lëshuar njoftim dhe ka dhënë detaje se si erdhi deri te plagosja.
Sipas Prokurorisë, Kelmendi dyshohet se tentoi ta privojë nga jeta Muslijajn pas një mosmarrëveshje në lidhje me gruan e tij, raporton Gazeta Sinjali.
“I pandehuri D.K., me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin B.M. Ngjarja ka ndodhur në takimin që kishin afër kompanisë së të dëmtuarit, ku pas një mosmarrëveshje në lidhje me gruan e të pandehurit, i pandehuri me armë shtënë disa herë në drejtim të dëmtuarit B .M., ku si pasojë e lëndimeve i dëmtuari rrëzohet në tokë, më pas dërgohet në emergjencën e spitalit në Gjakovë, mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dërgohet në QKUK Prishtinë për trajtim mjekësor”.
Ai dyshohet për veprat penale “Vrasje në tentativë”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Gjithashtu, i pandehuri D.K., më parë e deri më 09.03.2022, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërsa, i dyshuari tjetër Lirim Muslija, sipas Prokurorisë, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta, të dyshuarin Demir Kelmendi.
“Derisa i pandehuri këtu i dëmtuari D.K., tenton ta privoi nga jeta të dëmtuarin B.M., i pandehuri L.M., i cili ka qenë brenda në zyrën e kompanisë së të dëmtuarit B.M., pasi dëgjon të shtëna, del jashtë ku e vëren të dëmtuarin të rrëzuar në gjunjë, i pandehuri hyn brenda e merr armën, me të cilën shtënë në drejtim të dëmtuarit D.K., duke e qëlluar në këmbë, ku më pas largohen nga vendi i ngjarjes.”
Edhe Lirim Muslija dyshohet se ka kryer veprën penale, “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Si dhe, i njëjti nga data e pa vërtetuar deri me 10.03.2022, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë.
Me këto veprime ka kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurve, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.