image Zbulohen e-mailet mes Mozzikut dhe MPB-së për turneun nëpër Kosovë

Kosovë

Zbulohen e-mailet mes Mozzikut dhe MPB-së për turneun nëpër Kosovë

news image

Me përcjelljen e Policisë, disa aktivitete të ndaluara nga Qeveria e Kosovës u zhvilluan të shtunën nga reperi Gramoz Aliu, i njohur si “Mozzik”. Ai po zhvillonte një turne promovues nëpër qytete, duke shpërndarë albumin e tij të fundit nëpër turma njerëzish që dilnin për ta pritur, derisa Policia dhe Inspektorati u kujtuan të intervenojnë pasdite rreth orës 17:00.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj kishte thënë se Policia duhej të intervenonte për ta ndaluar turneun e reperit. Qalaj thoshte se Mozzik kishte marrë leje në Qendrën Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke i bërë ata përgjegjës për lejimin e aktiviteteve të organizuara që u ndaluan vetëm pas raportimit të vazhdueshëm të mediave se po shkeleshin vendimet e Qeverisë dhe po rrezikohej shëndeti i pjesëmarrësve.

“Ai e ka marr një leje në Qendrën Operative të MPB-së, ata janë përgjegjës. Policia duhet të intervenojë dhe nuk duhet të lejojë turma të tilla. Tash unë do të merrem me të”, kishte thënë Qalaj për Insajderin.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në një përgjigje për Gazetën Sinjali ka mohuar se nga ky dikaster i është dhënë leje reperit për mbajtjen e aktiviteteve të tilla, duke e demantuar drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Rashit Qalajn. MPB gjithashtu ka dërguar edhe korrespodencat elektronike ndërmjet ministrisë dhe Gramoz Aliut (Mozzik).

“Lidhur me pyetjen tuaj për organizimin e këngëtarit Gramoz Aliu (Mozikk) Qendra Operative e MPB nuk ka lëshuar leje për organizimin, vetëm ka dhënë sqarim për vendimin e Qeverisë së Republikës se Kosovës. Referojuni e-mail të mëposhtëm të QOMPB dhe 2euro Gang”, thuhet në përgjigjen e Faik Zekajt, këshilltarit politik të ministrit Agim Veliu.

Mozzik e kishte njoftuar MPB-në për “ngjarjet dhe aksionet e datës 8 dhe 9 gusht”, ndërsa garantonte se masat e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 do të respektoheshin gjatë këtyre aktiviteteve.

“Të nderuar, më lejoni të ju shpjegoj në pika të shkurtëra ngjarjet dhe aksionet e datës 8 gusht dhe 9 gusht. Në çdo qytet kanë me u shpërnda albume – CD të artistit Mozzik. Vendi i shpërndarjes ka me qenë në qendër të qyteteve. Kohëzgjatja ka me konë maximum 15-20 min! Të gjithë do të jenē me distancë, maska e doreza! Respekt e faleminderit! Sinqerisht, Mozzik (Gramoz Aliu)”, thuhej në e-mailin që Mozzik ia kishte dërguar Qendrës Operative të MPB-së.

E-maili që Mozzik ia ka dërguar MPB-së

Në përgjigje, MPB kishte kërkuar që Mozzik t’ua dërgonte një numër kontaktues për ta kuptuar më qartë kërkesën e tij. Gjithashtu, nga kjo qendër i kishin thënë Gramoz Aliut (Mozzik) se aktiviteti i tij duhet të zhvillohej brenda orarit të lejuar të lëvizjes dhe gjatë aktivitetit të respektoheshin rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe masat mbrojtëse ndaj koronavirusit.

“Të nderuar, mundësisht të na e dërgoni një numër kontaktues të tel. në mënyrë që ta kemi të qartë kërkesën tuaj. Përndryshe çfarëdo që të jetë aktiviteti apo lëvizja juaj në baza vullnetare brenda orarit të lejuar të lëvizjes nëpër komuna të RKS, e rëndësishme është që të respektohen të gjitha rekomandimet e IKSHPK-së dhe MSH-së sa i përket masave mbrojtëse (si mbajtja e distancës, bartja e maskave, mosgrumbullimi i më shumë se 5 personave në sheshe), gjithashtu edhe masat mbrojtëse në transport të organizuar publik”, thuhet në përgjigjen që Qendra Operative e MPB-së ia kishte dërguar reperit me e-mail.

E-maili që MPB ia ka dërguar reperit Mozzik

Pasi Policia ia ndali turneun që kishte planifikuar ta vazhdonte edhe të nesërmen, Mozzik reagoi në rrjete sociale duke i quajtur mediat mashtruese dhe nxitëse të panikut.

“Për shkaqe të mediave mashtruese që nxisin panik, policia dha urdhër që ta ndërpremë këtë iniciativë dhe më falni por më duhet ta anulojmë shpërndarjen e albumit në qytetet e radhës, duke respektuar vendimin dhe urdhrin e Policisë”, kishte shkurar Mozzik.

Në bazë të vendimit të Qeverisë, aktivitetet e tilla janë të ndaluara sepse vlerësohen si rrezik potencial për shpërndarjen e koronavirusit. /Gazeta Sinjali