Rrjeti i trafikut të drogës në vlerë 2 milionë euro me nigerianë dhe shqiptarë që transportonin marihuanë nga Evropa Lindore drejt Romës është zbërthyer nga policia italiane.
Sipas medias italiane, protagonistët e kësaj skeme janë dy drejtuesit e organizatave kriminale Geraldo Bejaj dhe Sule Momodu, të dy në të tridhjetat, që sundonin rrjetin që menaxhonte trafikun e drogës në të gjitha anët e vendit.
Njëri u tha njerëzve të tij: “Tre kilogramë menjëherë”. Dhe tjetri, në kthim, pasi mori mesazhin përmes korrierëve të ndryshëm u përgjigj: “Nuk ka problem”.
Në këtë pakt nuk ka asnjë gjurmë të Cosa Nostra, Camorra apo Ndranghetas.
Në javët e fundit Prokuroria e Romës e drejtuar nga Michele Prestipino, me kërkesë të zv /prokurores Nadia Plastina, e cila koordinoi dy vjet hetime nga karabinierët dhe mbi masat e miratuara nga Gip Nicolò Marino, urdhëroi arrestimet për 52 personat që i përkisnin këtij bashkëpunimi nigeriano-shqiptar.
Nga përgjimet, gjurmimet dhe raportimet, është zbuluar se si menaxhohej trafiku nga kjo marrëveshje. Përtej arrestimeve të bëra për një vlerë prej rreth 2 milionë euro drogë, dyshimi i gjyqtarëve është se kjo është vetëm maja e ajsbergut.
Sule Momodu, sipas zyrës së prokurorit ka menaxhuar furnizimin jo vetëm në Romë, por edhe në Brescia, Parma, Isernia dhe Napoli.
Ndërsa Bejaj konsiderohet nga hetuesit si pika e kontaktit për dërgesat në Romë, Venecia, Verona dhe Firence.
Ky hetim nisi në vitin 2018 nga disa arrestime të bëra në Romë, “në zonën që përfshin stacionin hekurudhor Romë-Tiburtina dhe stacionin e autobusëve Tibus, të vendosur në Via Largo Guido Mazzoni”.
Të gjithë të dyshuarit shqiptarë si pjesë e këtij rrjeti janë nga Vlora. Droga bëhej gati, me të njëjtin paketim me shirit ngjitës me ngjyra të ndryshme për të dalluar paketimet bazuar në sasinë e lëndës narkotike. Çmimi fiks për tregtarët si kompensim është 50 euro për çdo kilogram të shitur.
Mafia nigeriane është akoma e pranishme në të gjithë Evropën dhe madje edhe përtej oqeanit, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Origjinat e organizatës janë të lidhura me flukset e migrantëve të qyteteve të Benin City dhe Lagos.
Shoqata është e ndarë në grupe, disa prej të cilave tani janë të vendosura në Itali, të tilla si vëllazëria e quajtur “Eiye”, e degëzuar në Italinë Veriore.
Ndër strukturat kriminale me origjinë afrikane, ajo nigeriane, e formuar nga qeliza të ndryshme kriminale të pavarura dhe me struktura operacionale të diferencuara të vendosura në Itali dhe në vendet e tjera evropiane dhe jashtë-evropiane, është shumë e përhapur.
Të hysh në “Eiye” duhet domosdoshmërish t’i nënshtrohesh një riti të vërtetë inicimi që konsiston në rrahje nga partneri aspirant.
Përveç Venetos, disa hetime kanë treguar kohët e fundit praninë e këtij klani në Torino, Lombardi dhe gjithashtu në Sardenjë.
Nga ana tjetër, në jug, mbizotërojnë grupet e lidhura me vëllazërinë “Sëpata e Zezë”, të krijuara në Benin City.
Baza kryesore operacionale e këtij grupi ishte e vendosur në Castel Volturno: përgjatë bregdetit Domitian, disa klane nigeriane organizojnë trafikimin e qenieve njerëzore dhe prostitutave.
“Sëpata e zezë” është gjithashtu e pranishme në Sicili, veçanërisht në zonën e Palermos. Në kryeqytetin sicilian ata kanë gjithashtu një bazë në qendrën historike, brenda tregut Ballarò.
Më vonë klani u identifikua në atë të “Maceve të Zeza”. Ata bënë tatuazh macen në njërën shpatull dhe shenjat në bark janë rezultat i ritualit të përkatësisë.
Ato janë evolucioni i mafies nigeriane, një nga “mafiet më të rrezikshme, agresive dhe më të përhapura të mafieve transnacionale”./Gazeta Sinjali/