Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Prizrenit 16 me rezultat 69:52 (11:10, 20:11, 15:20, 23:11), në derbin e javës së shtatë të Ligës Unike, që është xhiroja e fundit për stinorin vjeshtor.
Në çerekun e parë të ndeshje kishte shumë gabime nga skuadrat dhe nuk ishin shumë të sakta, e kjo bëri që kjo pjesë të përfundojë 11:10, ku asnjëra skuadër nuk arrinte shkëputjen në rezultat.
Skuadrat paksa u këndellën në periudhën e dytë, ku vendasit ishin më të mirë, duke krijuar epërsi deri në dhjetë pikë, 31:21, sa përfundoi pjesa e parë, që u karakterizua me shumë pak pikë të shënuara në këtë pjesë.
Në periodën e tretë më të mirë ishin mysafirët që shkrinë epërsinë, për të barazuar shifrat në 39:39, por më pas për një nuancë ishin më të mirë vendasit, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 46:41.
Në dhjetë minutat e fundit, kampionët vetëm sa e thelluan epërsinë më shumë, ku më e larta ishte 69:50, ndërsa në fund triumfuan me shifrat 69:52.
Te suharekasit u dalluan Henrik Sirko me 16 pikë e 14 kërcime, shtatë asistime dhe Erjon Kastrati me 18 pikë e tetë kërcime, kurse te Prizreni 16 më i dalluari ishte Ivan Koljeviq me 14 pikë, pesë kërcime dhe pesë asistime.
Golden Eagle Ylli e përfundon stinorin vjeshtor në vendin e parë me gjashtë fitore dhe një humbje, ndërsa prizrenasit me katër fitore dhe tri humbje. /Gazeta Sinjali Sporti/