image Ylli për të shkruar historinë, Peja për ta ngushtuar epërsinë, takohen sot në përballjen e tretë të finales

Basketboll

Ylli për të shkruar historinë, Peja për ta ngushtuar epërsinë, takohen sot në përballjen e tretë të finales

news image

Sot do të zhvillohet përballja e tretë e finaleve të “Play-offit” në Superligën e Kosovës në basketboll ndërmjet Pejës dhe Golden Eagle Yllit, raporton Sinjali Sport.

Skuadra nga Theranda ka fituar dy ndeshjet e para dhe i mungon edhe një fitore për t’u shpallur kampion, që do të ishte i pari në histori të klubit. Ndërkohë, pejanët hyjnë për fitore për të ngushtuar serinë në 1:2, ku do të rikthehet edhe AJ Walton, i cili ishte i suspenduar.

Ndeshjen e parë e fitoi Ylli në Pejë 75:83, kurse sfidën e dytë e fitoi në shtëpi 75:73, me një fund dramatik.

Për Yllin do të ishte titulli i parë në histori, derisa pejanët kërkojnë titullin e gjashtë. Skuadra nga Theranda këtë edicion fitoi Ligën Unike, duke mundur në finale pikërisht Pejën dhe po e kërkon trofeun e dytë në këtë edicion.

Peja në çerekfinale kishte mundur Sigal Prishtinën 2:1, derisa në gjysmëfinale u përball me Ponte Prizrenin, ku kaluan në finale me serinë 3:2, pasi takimi i fundit ishte ndërprerë pas pjesës së parë dhe u takoi pejanëve me rezultat zyrtar 20:0.

Golden Eagle Ylli në çerekfinale eliminoi Bashkimin 2:1, edhe pse humbi sfidën e parë, ndërsa në gjysmëfinale pas pesë sfidave shumë interesante eliminoi Rahovecin 3:2.

Ky ballafaqim do të zhvillohet në palestrën “Karagaqi” në Pejë me fillim nga ora 20:15. /Gazeta Sinjali Sporti/